Monday, June 20, 2011

BETIMET – RREGULLA DHE SQARIME

  Betimi ose të bërit be nënkupton përmendjen e një emri apo cilësie të Allahut për ta siguruar dikë se themi të vërtetën, ose se do të kryejmë një veprim patjetër. Në gjuhën arabe bëhet me pjesëzat: “uav”, “ba” dhe “ta” që i përshtaten parafjalëve të gjuhës shqipe: “për” dhe “pash”. Arabisht thuhet: vallahi, bilahi, tallahi që do të thotë: pasha ose për Allahun. Si shembull betimi, duke përmendur një cilësi të Zotit mund të sjellim një pjesë të hadithit, ku thuhet: “Zjarri vazhdimisht do të përsëris: A ka më (njerëz për të hyrë në të), derisa Zoti Krenar të vendosë këmbën e Tij në të e atëherë do të thotë: pasha krenarinë Tënde, mjaft, mjaft”[1]
Sipas pikëpamjes së besimit islam ndalohet rreptësisht betimi te dikush tjetër pos Allahut pa marrë parasysh, sa i shtrenjtë është ai në të cilin betohemi, ngase i madhëruari i vetëm i denjë është Allahu, kurse krijesat nuk mund të madhërohen deri në atë shkallë saqë të betohemi në to. Mu për këtë i Dërguari i Allahut ka thënë: “Ka bërë kufër ose shirk ai që betohet në dikë tjetër pos Allahut”[2]. Nga kjo kuptojmë se të gjitha betimet që i dëgjojmë aty-këtu, si: për kokë të nënës, apo babait, apo fëmijëve, për besë, pasha flamurin, për nderin e fraza tjera të shumta janë gabime që duhet t’i mënjanojmë. Betim mëkatar apo i gabuar gjykohet edhe kur përmendim një frazë pa pasur qëllim betimin, siç bëjnë disa njerëz, të cilët shpeshherë betohen në Qabenë, Profetin, ndonjë të dashur të tyre, edhe pse ai mund të mos ketë për qëllim betimin. Për të kuptuar sa mëkat i madh është betimi në dikë tjetër pos Allahut do të përmendim fjalën e Abdullah ibën Mesudit, që ka thënë: “Për mua më e dashur është të betohem në Allahun rrejshëm, se sa në dikë tjetër me sinqeritet.”[3] Kjo thënie e tij na tregon shumë, sidomos nëse marrim parasysh se betimi në Allahun rrejshëm është mëkat i madh. Përmendja e Allahut apo e ndonjë cilësie të Tij i jep peshë betimit dhe për hir të kësaj duhet që të pranohet fjala e shoqëruar me betim, sidomos kur argumentet mungojnë dhe betimi vjen nga një njeri i drejtë. Buhariu dhe Muslimi na përcjellin se Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Isai i biri i Merjemes kishte parë një njeri teksa po vidhte. I kishte thënë atij: A po vjedh? Jo, pasha Atë pos të cilit zot të vërtetë nuk ka - ishte përgjigjur ai. Isai i tha: Unë i besova Allahut dhe përgënjeshtrova syrin tim.”
Llojet e betimit:
Betimet janë tre lloje: a) betimi i paqëllimtë (el-jemin el-legu), b) betimi fundosës (el-jemin el-gamus) c) betimi i plotfuqishëm (el-jemin el-mun’akide)
Betimi i paqëllimtë:
Më lart përmendëm se: nëse dikush betohet te dikush tjetër pos Allahut, mirëpo pa pasur si qëllim betimin, kjo fjalë e tij gjykohet si një mëkat që duhet mënjanuar. Tani kemi një situatë tjetër dhe bëhet fjalë për atë shprehje që ka formën e betimit (në Allahun apo në ndonjë cilësi të Tij), mirëpo nuk thuhet për t’u betuar, por thjesht një fjalë goje me të cilën është mësuar gjuha. Ky betim nuk sjell pasoja dhe detyrime ndryshe nga betimet e tjera, të cilat sipas Legjislacionit Islam në raste kur ato shprehen bëhen detyra që duhet kryer. Këtë do ta sqarojmë më poshtë, kur do të flasim për dy llojet e betimeve, atë fundosës dhe të plotfuqishëm.
Betimi i paqëllimtë është i falur nga Allahu i Madhëruar. Ai në Kuranin e Tij thotë: “Allahu nuk ju merr në përgjegjësi për betimet tuaja të paqëllimta, por ju merr për ato që i bëni qëllimisht me gjithë zemër. Allahu është i butë dhe fal shumë.”[4], “Allahu nuk ju merr në përgjegjësi për betimet e juaja të paqëllimta (për betim), por ju merr për ato që jeni betuar qëllimisht”[5] Aishja, radijallahu anha, thotë: fjala e Allahut: “Allahu nuk ju merr në përgjegjësi…” ka zbritur për fjalët: vallahi jo, vallahi po…[6].
Betimi fundosës (ose betimi i rremë):
Është betimi i rrejshëm, i cili nëpërkëmb të drejtat e njerëzve, betim me të cilin synohet mëkati dhe tradhtia. Quhet “fundosës”, ngase e fundos në mëkat pastaj në zjarr atë që e thotë. Konsiderohet prej mëkateve më të mëdha dhe nuk ka shpagim të caktuar, ngase nuk hyn në fuqi. Allahu i Madhëruar thotë: “Mos i përdorni betimet tuaja për dredhi mes jush, e të rrëshqitni pas forcimit, e ta shijoni të keqen (e dredhisë), për shkak se penguat (të tjerët) nga rruga e Allahut, e ju do të keni dënim të madh.”[7] Imam Taberiu duke komentuar këtë ajet mes të tjerash thotë: “Mos i bëni betimet e juaja derë për mashtrim e tradhti, duke u munduar ta siguroni palën tjetër, e në fakt fshihni mashtrimin.”[8] Në lidhje me këtë Ebu Hurejra na përcjell se Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem ka thënë: “Pesë gjëra nuk ka shpagim për to[9]: shirku, vrasja pa të drejtë, shpifja mbi besimtarin, ikja nga fronti dhe betimi që domosdoshmërish ia merr pasurinë tjetrit pa të drejtë.”[10]
Betimi i plotfuqishëm:
Është betimi i drejtë që bëhet me këmbëngulje për të vërtetuar veprimin apo mosveprimin e diçkaje. Nëse e çon në vend betimin e tij, atëherë s’ka gjë për të, në të kundërtën ai detyrohet me shpagim. Allahu i Madhëruar thotë: “Allahu nuk ju merr në përgjegjësi për betimet tuaja të paqëllimta, por ju merr për ato që i bëni qëllimisht me gjithë zemër…”[11] Shpagimi për thyerjen e betimit është i përcaktuar në Kuranin Famëlartë. Allahu thotë: “Allahu nuk ju merr në përgjegjësi për betimet e juaja të paqëllimta (për betim), por ju merr për ato që jeni zotuar qëllimisht. E shpagimi i tij (i betimit të bërë) është duke i ushqyer dhjetë të varfër me ushqim mesatar që ushqeni familjen tuaj, ose duke i veshur ata (të dhjetë), ose duke liruar një rob. E kush nuk ka mundësi t’i bëjë këto, le të agjërojë tri ditë. Ky është shpagim për betimet tuaja kur i thyeni ato. Ruani betimet tuaja. Kështu Allahu ju sqaron dispozitat e veta, ashtu që të jeni mirënjohës.”[12] D.m.th. kush thyen betimin e tij ai zgjedh mes tre shpagimeve:
1. ushqimi i dhjetë të ngratëve
2. veshja e tyre
3. lirimi i një robi
Nëse nuk mund t’i bëjë këto, atëherë ai agjëron tre ditë, pra, pika e katërt mund të  zgjidhet vetëm nëse nuk mund të bëjë asnjërën prej tri të parave.
Disa rregulla:
1. Betimi vlerësohet në bazë të nijetit të atij që betohet, d.m.th. kush betohet për diçka, mirëpo dëgjuesi kupton diçka tjetër, vlerësimi bëhet në bazë të nijetit të atij që është betuar, nëse nuk cenon të drejtën e dikujt, përndryshe rregulli themelor është se betimi vlerësohet në bazë të asaj që kupton kërkuesi i betimit, siç ka thënë Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem: “Betimi merret në bazë të nijetit të atij që e kërkon atë.”[13] Argument për të parën është rasti që na përcjell Suvejd ibën Handhali, i cili thotë: U nisëm për tek i Dërguari i Allahut e me ne ishte Vail ibën Huxhri, të cilin e rrëmbeu një armik. Unë u betova se ai ishte vëllai im dhe e lëshuan, ndërkohë që të tjerët ngurruan (sepse në fakt nuk ishte vëllai i tij). Kur u takuam me të Dërguarin e Allahut dhe i treguam për ngurrimin e tyre dhe se unë isha betuar se e kam vëlla, më tha: “Ke thënë të drejtën, muslimani është vëlla i muslimanit.”[14]
2. Është i falur ai që e thyen betimin e tij gabimisht ose në harresë, Allahu i madhëruar thotë: “Zoti ynë, mos na dëno nëse harrojmë ose gabojmë”.[15]
3. Nëse ndonjëri gjatë betimit bën përjashtimin, duke thënë “inshaAllah – nëse do Allahu”, për të nuk ka thyerje betimi. Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Kush betohet për diçka duke thënë “nëse do Allahu” është i lirë ta përmbushë betimin apo ta lërë atë.”[16]
4. “Kush betohet për një gjë, pastaj sheh diçka më të mirë, le ta bëjë më të mirën dhe le të shpaguaj betimin e tij të parë.”[17]
5. Kush betohet se do t’ia ndalojë vetvetes diçka që e ka të lejuar, ajo gjë nuk i ndalohet dhe betuesi ngarkohet me shpagim.


[1] Buhariu dhe Muslimi[2] Tirmidhiu [3] Taberaniu [4] Bekare: 225[5] Maide: 89
[6] Buhariu [7] Nahël: 94[8] Tefsir Taberi: 14/166[9] Nuk ka shpagim (kefaret) do të thotë: nuk fshihet mëkati i tyre me agjërim, lëmoshë apo lirim robërish, ngase kështu shpaguhet betimi i plotfuqishëm. Kjo nuk mohon faktin, se këto mëkate të mëdha mund të shlyhen me pendim të sinqertë dhe duke kërkuar falje nga të dëmtuarit.
[10] Ahmedi, kurse hadithin e vlerësojnë hasen Sujutiu dhe Munaviu.[11] Bekare: 225
[12] Maide: 89[13] Ibën Maxhe, sahih[14] Ibën Maxhe, sahih[15] Bekare: 286[16] Ibën Maxhe, sahih
[17] Muslimi 

Drita-e-jetes.com

No comments:

Post a Comment