Thursday, November 1, 2012

Behu gjilpere, jo gershere



Gjyshi rrobaqepës, deshi ti japë një mësim nipçes së tij nopran dhe harakat, sipas mënyrës së tij tradicionale. Kështu, gjatë ushtrimit të profesionit të tij, pra duke prerë e qepur një veshje, gjyshi mori gërshërët dhe e ndau pëlhurën në disa copa të vogla. Pasi përfundoi me prerjen, ai i hodhi gërshërët e shtrenjta përtokë, pranë këmbëve! Nipçja i tij i vërente gjithë kuriozitet lëvizjet e gjyshit. Mandej, gjyshi mori gjilpërën dhe filloi të qepë dhe bashkojë copat e prera të pëlhurës, derisa në fund doli një veshje e bukur. Pastaj, qetë-qetë hoqi kapelën e tij dhe brenda saj nguli gjilpërën.
 Këtu, nipçja i tij nuk duroi dot më dhe menjëherë ndërhyri duke e pyetur:”Gjyshi! Gërshërët që janë të shtrenjta i hodhe përtokë pranë këmbëve, kurse gjilpërën që pothuajse nuk vlen fare, e vendose tek kapela jote mbi kokë!”
 Pa e prishur terezinë, gjyshi iu përgjigj:”O bir i gjyshit! Gërshërët janë ato që e ndanë pëlhurën e madhe dhe e copëtuan në pjesë të vogla. Ndërkohë që ishte gjilpëra ajo që i bashkoi dhe i shndërroi në një veshje të bukur. Prandaj, biri im, asnjëherë mos e vlerëso atë që përpiqet të përçajë vëllazërinë dhe marrëdhëniet mes njerëzve! Nga ana tjetër, qëndroju pranë dhe vlerësoji të gjithë atë që orvaten ti forcojnë marrëdhëniet! Shumë njerëz preferojnë miqtë gërshëra, duke injoruar miqtë gjilpëra!!!

 Elmaz Fida


KUPTIMI I HUMANIZMIT


Të synosh kënaqësinë e t’i ikish dhembjes – me këtë fjali lapidare dy përfaqësues të mendimit materialist – Epikuri i Antikës dhe Holbachu i Perëndimit – përkufizojnë themelet e jetës së tërësishme dhe së këndejmi edhe bazat e sprasme jo vetëm të sjelljes njerëzore, por edhe të asaj shtazore.
Materializmi gjithnjë do të gjejë të përbashkëtën te njeriu dhe shtaza, religjioni do të theksojë ato që i dallojnë. Qëllimi i shumë kulteve dhe i ndalimeve religjioze është nënvizimi a theksimi i këtij dallimi. Në disa raste edhe te materializmi hasim të njëjtin interesim për të argumentuar natyrën shtazore të njeriut, interesim që tanimë s’ka të bëjë me interesin e zakonshëm për të vërtetën.
Darwini s’e bëri njeriun shtazë, mirëpo ia ktheu vetëdijën për origjinën e tij shtazore. Nga kjo vetëdije pasuan pastaj “konkludimet përkatëse”, morale e politike: kolektivi njerëzor është turmë në formë të civilizuar, kurse civilizimi është zgjim njerëzor, pushtim i natyrës, mposhtje e ndjenjës për jetë biologjike, për jetë me shqisa në vend të jetës me shpirt.
Me ta përcaktuar unitetin (ose kontinuitetin) ndërmjet shtazës dhe njeriut, revolucioni hoqi kundërshtinë ndërmjet natyrës dhe kulturës. Duke u nisur nga premisa tërësisht e kundërt, religjioni vuri këtë kundërshti. Për këtë arsye që nga akti i Krijimit, njeriu, por dhe e tërë kultura me të, është në përleshje të papushuar me tërë rrjedhën e historisë njerëzore. Këtu filloi çarja ndërmjet kulturës dhe civilizimit.
“Njeriu është shtazë që refuzon të jetë e tillë” (Camus). Thelbi i qëndrimit religjioz është pikërisht në këtë fakt negativ, në këtë “refuzim të madh” (A. N. Whitehead).
Sepse religjioni sikur thotë: shihni ç’bëjnë shtazët për të bërë ju të kundërtën: ato mbllaçitin-ju agjëroni; ato ndërzehen – ju përmbahuni; ato shkojnë në mori – ju vetmohuni; ato synojnë kënaqësinë dhe ikjen nga dhembja – ju sfidoni sprovat. Me një fjalë, ato jetojnë me trup – ju jetoni me shpirt.
Ky mospranim i pozitës zoologjike, ky “synim negativ”, për arsyen dhe Darwinin plotësisht i pashpjegueshëm, është fakt magjistral i jetës së njeriut në këtë planet. Ai mund të jetë mallkim a privilegj i njeriut, porse është e vetmja e vërtetë e njëmendtë për ekzistencën njerëzore. Mënjanone këtë “rebelim” të njeriut dhe jeta njerëzore në çast zhduket. S’ka më religjion, art, poezi, flijim dhe dramë; mbeti vetëm të qenët, vetëm funksionimi, i pakuptim dhe i paqenë.
Në të vërtetë, ndërmjet njeriut dhe shtazës ekziston edhe paralelizmi i plotë edhe ballafaqimi absolut. Ngjashmëria i përket aspektit biologjik e konstitucional, pra mekanik. Ballafaqimi absolut, nga ana tjetër, i përket aspektit esencial, shpirtëror.
Shtaza është e pafajshme, pa mëkate, neutrale moralisht sikur send. Njeriu asnjëherë s’është i këtillë dhe që nga çasti i”shtazës së njerëzuar”, që nga “prologu dramatik në qiell” ose “flakja në tokë”, njeriu s’mund të zgjedhë kah pafajësia shtazore.
Njeriu “është lënë i lirë” pa mundësi kthimi,ndaj çdo zgjidhje frojdiane përjashtohet. Që nga ky çast, ai s’mund të jetë më njeri a shtazë. Mund të jetë vetëm njeri ose jonjeri.
Nëse njeriu do të ishte vetëm shtazë më e përkryer, jeta e tij do të ishte e thjeshtë dhe pa enigma. Pikërisht meqë s’është kështu dhe sepse njeriu është “krimb i tokës e fëmijë i qiellit”, sepse është krijuar, ai është qenie e disharmonisë, ndërkaq “harmonia euklidiane” është e pamundshme.
Mbi faktin e Krijimit bazohen jo vetëm të gjitha të vërtetat e thella,por edhe të gjitha paragjykimet e tmerrshme të jetës së njeriut. Mbi atë fakt nuk bazohet vetëm madhështia, moraliteti, synimet e tragjika, por edhe të gjitha dyshimet, pakënaqësitë, mallkimi, egërsia dhe e liga. Shtaza nuk njeh as njërën, as tjetrën dhe këtu qëndron rëndësia e këtij çasti epokal.
Çështja e Krijimit në të vërtetë është çështje e lirisë njerëzore. Sepse,nëse pranoni se njeriu s’ka liri, se të gjitha veprimet e tij janë të paracaktuara, pa marrë parasysh me ç’gjë – me atë brenda tij a me atë jashtë tij – Zotin ju mund ta konsideroni të tepërt për të shpjeguar dhe për të kuptuar botën, së paku ashtu si e shihni.
Mirëpo nëse krijesës suaj ia njihni lirinë, nëse e bëni përgjegjës, ju e pranoni Zotin heshtazi ose sheshazi. Sepse vetëm Zoti ka mundë të krijojë qenie të lirë dhe vetëm me aktin e krijimit ajo liri është vendosur.
Ajo s’ka mundë të jetë pasojë e zhvillimit. Liria dhe prodhimi janë nocione disparate, të kundërshtueshme. Asnjë prodhim, qoftë përnjëherësh i krijuar, qoftë me evolucion, s’mund të ketë lirinë. As Zoti kur e bëri individin, as artistët kur e bëjnë këtë gjë, nuk i konstruktojnë.
Ata i “krijojnë”. Ai që konstrukton, nuk përfiton individin (personalitetin), por skemën, por njeriun-pllakat. Personaliteti s’mund të konstruktohet. Nuk e di ç’domethënie do të kishte portreti pa Zot. Diç e tillë pa Zot nuk ekziston.
Mbase, herët a vonë, deri në fund të këtij shekulli ose gjatë miliona vitesh të progresit të civilizimit, njeriu do të prodhojë imitimin e vet, ndonjë robot a monstrum, shumë të ngjashëm me konstruktorin. Ajo makinë antropomorfe do të jetë tejet, tejet e ngjashme me njeriun, por që tani një gjë është e sigurt: ajo s’do të jetë e lirë, ajo do të bëjë vetëm ato që njeriu ia ka vënë nga fillimi.
Këtu qëndron madhështia e krijimit dhe e papërsëritshmja e këtij akti, pakrahasueshmëria me çfarëdo që ngjau para e pas kësaj në kozmos. Në një neon të amshimit filloi të ekzistojë krijesa e lirë. Sikur të mos ishte kjo prekje hyjnore, si rezultat i evolucionit ne do të kishim jo njerinë, por shkallën më të lartë të shtazës, mbishtazën, monstrumin me trup dhe intelekt njeriu, mirëpo pa zemër, pa vete. Intelekti i tij madje, pa skrupuj moralë, do të ishte më efikas dhe në të njëjtën masë – më mizor.
Disa krijesat e tilla i paramenduan si qenie nga ndonjë planet i largët i gjithësisë; të tjerët i panë si prodhim të civilizimit tonë në ndonjë shkallë të marrë me mend. Te Fausti i Goethes figuron një krijesë e tillë, por ajo s’është njeri, është kuazinjeri – Homunkulus.
Do vënë re se ndërmjet amoralitetit, pashpirtësisë të një homunkulusi dhe amoralitetit të njeriut më të shthurur s’ka asnjë analogji. Njeriu mund të veprojë në kundërshtim me normat morale, por ai – sikur monstrum – s’mund të jetë jashtë sferës morale, përtej mirësisë e ligësisë, ai s’mund “të shkyçet”, “të shkulet”.
Në përvojën praktike morale, madje edhe prirja e njeriut të mëkatojë bie në sy më tepër se synimi për të jetuar drejt. Aftësia e tij për t’u kredhur në thellësitë e mëkatit sikur është më e madhe nga aftësia për t’u ngjitur në majat e virtytit.
Fytyrat negative janë më bindëse se ato pozitive, kurse poeti që na e përshkruan karakterin negativ ka vazhdimisht përparësi ndaj atij që do të përshkruajë heroin. Sidoqoftë, njeriu është ose i mirë, ose i keq, por asnjëherë i pafajshëm, dhe mbase këtu qëndron kuptimi i mbramë i rrëfimit biblik për mëkatin lindor, për paramëkatin.
Njerëzimi s’është mëkatar, por s’është as i pafajshëm. Nga Dëbimi prej parajse, Adami (njeriu) s’mund të lirohet nga liria, të dalë nga drama e mirësisë dhe e ligësisë, të jetë i pafajshëm, siç është, të themi, shtaza ose engjëlli. Ai duhet të zgjedhë, të përdorë lirinë e vet, të jetë i mirë ose i keq, me një fjalë – të jetë njeri. Kjo aftësi e zgjedhjes, madje pa marrë parasysh rezultatin, është forma më e lartë e ekzistencës që është përgjithësisht e mundshme në gjithësi.
Njeriu ka shpirtin, por psikologjia s’është shkenca mbi të. Shkenca mbi shpirtin s’mund të ekzistojë. Psikologjia trajton një sferë të caktuar të një doze të brendësisë, atë që brendia e njeriut merr nga bota e jashtme, kalimtare dhe e zhdukshme, ose atë që është amorfe dhe e njëtrajtshme.
Prandaj mund të flitet për psikofiziologji, për psikometri, për psikohigjienë, për fizikë të psikës. Mundësia e psikologjisë sasiore vërteton tezën për natyrën e jashtme, mekanike, sasiore, pra joshpirtërore të mendimit e të ndjenjës. Psikologjia animale dhe njerëzore mund të përbëjnë tërësinë pikërisht sepse psikologjia s’ka të bëjë me shpirtin, por vetëm me manifestimet e psikikës.
Psikologu i njohur John Watson shkruan: “Psikologjia njerëzore, siç e kupton bihevioristi, duhet të ndërtohet sipas shembullit të psikologjisë objektive dhe eksperimentale të shtazëve, duke huazuar nga ajo lëndën e hulumtimit,metodën, qëllimin, kështu që nuk ekzistojnë dy psikologji, njerëzore e shtazore, të ndara me perden e hekurt, pa e njohur njëra-tjetrën, duke pasur lëndë rrënjësisht të ndryshme, metoda e qëllime, por një psikologji unike që zë vend në vargun e shkencave natyrore”.
Ky citat flet vetvetiu. Lindja do të thoshte se psikologjia është shkenca për “nefsin”, por jo edhe shkenca për “ruh”. Psikologjia është shkenca e nivelit biologjik, por jo e nivelit personal. Sepse janë tre rrathë: mekanik-biologjik-personalist, që u përgjigjen tri shkallëve të realitetit: materia – jeta – personaliteti.
Në të vërtetë, mendimi edhe në lëmin shpirtëror do të imponojë gjithnjë metodën shkencore, metoda shkencore gjithnjë, tekefundit, do të zbatojë dhe do të vërtetojë kauzalitetin absolut, ndërkaq ky vetvetiu do të thotë mohim i lirisë e cila është esenca e shpirtit.
Përpjekja jonë që “të studiojmë” shpirtin në fund vazhdimisht do të detyrohet të sjellë mohimin e “objektit të studimit”. Nga ky rreth magjik nuk dilet kurrsesi. Kjo gjë shpjegon se përse psikanaliza që nga metoda e vet është dashur të jetë e lidhur patjetër me konkludimet ateiste.
Barazia dhe vëllazërimi i njerëzve është i mundshëm vetëm po qe se njeriun e ka krijuar Zoti. Barazia e njerëzve është fakt shpirtëror e jo natyror (fizik ose intelektual).
Ajo ekziston si vlerë e barabartë morale e njeriut, si dinjitet njerëzor, si vlerë e patjetërsueshme e barabartë e personalitetit njerëzor. Anasjelltas, si qenie fizike, mendore dhe shoqërore, si anëtarë të kolektivit, të popullit, të klasës, të sistemit politik, njerëzit gjithnjë janë tejet të pabarabartë dhe ky është një fakt para të cilit është e kotë t’i mbyllësh sytë.
Nëse s’e pranoni shpirtëroren e njeriut – atë fakt të rendit religjioz – ju humbisni bazën e vetme reale të barazisë njerëzore; barazia atëbotë bëhet frazë pa mbështetje dhe pa vatër dhe, si e tillë, ajo do të zbrapset shpejt para fakteve evidente të pabarazisë njerëzore, ose, edhe më tej, para synimit natyror të njeriut të sundojë dhe të nënshtrohet, pra të jetë i pabarabartë.
Posa të braktiset qasja religjioze, hapësirën boshe sakaq e plotësojnë pabarazitë e ndryshme racore, nacionale, klasore, politike.
Dinjiteti i njeriut s’ka mundur të zbulohet as me biologji, as me psikologji, as me shkencë përgjithësisht. Ai është çështje e rendit shpirtëror. Para se barazinë, shkenca me “vëzhgim objektiv” do të vërtetonte pabarazinë e njerëzve, ndaj “racizmi shkencor” është fare i mundshëm dhe logjik.
Etika e një Sokrati, e një Pitagore ose e një Seneke në pjesën e vet më të mirë nuk mbetet prapa etikës së religjioneve të shpallura (Judaizmi, Krishterimi, Islami), por dallimi është tejet i qartë: vetëm etika e religjioneve të shpallura pati për postulat barazinë e të gjithë njerëzve si krijesa të Zotit.
Njeriu i Antikës ishte i lidhur fort për bashkësinë, për shtetin, kombin ose klasën të cilës i përkiste. Madje edhe një frymë e tillë siç ishte Platoni nuk mundi të lirohej nga parafytyrimi mbi pabarazinë e domosdoshme të njerëzve.
Anasjelltas, religjionet e shpallura si gurë orientimi të botëkuptimit të vet mbi botën vendosën origjinën e përbashkët, ndaj së këndejmi edhe barazinë absolute të të gjithë njerëzve, këtë ide që ka rëndësi magjistrale për tërë zhvillimin e mëvonshëm shpirtëror e etik, madje edhe shoqëror të njerëzimit.
Edhe pse ky fill s’është hulumtuar sa duhet, historia e etikës imponon konkludimin se ideja për barazinë e njerëzve ishte gjithnjë e mpleksur me idenë e pavdekshmërisë. Idenë e barazisë nuk e njohin religjionet, as sistemet morale që s’e pranojnë idenë e pavdekshmërisë ose që kanë koncepte të mjegulluara e të paqarta për të. Nëse Zot nuk ka, njerëzit sheshazi dhe në mënyrë të pashpresë janë të pabarabartë.
Nietzsche pohonte se religjionin e kanë shpikur të dobëtit për t’i mashtruar të fortit. Marxi pohonte të kundërtën.
Po të pranojmë versionin se religjioni është “shpikur”, interpretimi i Nietzsches na duket më bindës, sepse vetëm mbi parimet e religjionit të dobëtit, të shfrytëzuarit, ata që janë më pak të aftë, kanë mundë të bazojnë kërkesën e vet për barazi, liri dhe për vlerë të njëjtë. Çdo gjë tjetër, përveç religjionit, madje edhe shkenca, verifikonte pabarazinë e tyre.
Shikuar edhe praktikisht, vetëm religjioni niset nga një njeri i njëjtë dhe shikon një cilësi të njëjtë po aq të vlefshme te të gjitha krijesat njerëzore.
Sepse prej nga aq shumë të gjymtuar, të sëmurë dhe të paaftë pranë të gjithë tempujve ku hyjmë? – Atyre që dëbohen nga të gjitha gostitë e botës, nga të gjitha vendet ku pyetet për emër, fis, pasuri, origjinë, shëndet, aftësi, dituri, atyre që nuk kanë çka t’u ofrojnë të “shpirtpaqenëve”, vetëm tempulli ua hapi dyert, duke i shpallë dhe duke pranuar se janë të barabartë dhe njësoj të vlefshëm me të gjithë të tjerët.
Sepse edhe dyert e fabrikës hapen për të shëndoshët e për të diturit, ndërkaq të sëmurët dhe të pashkolluarit ngelin jashtë. Në tempull edhe i verbri varfnjak mund të qëndrojë krahas mbretit ose ndonjë të forti dhe madje mund të jetë edhe më i mirë se ata . Në këtë dëshmim të përhershëm të barazisë është rëndësia më e madhe kulturore e humane e tempujve në përgjithësi.
Ndërsa kuptimi më i lartë dhe më tronditës i artit është të zbulojë dhe të gjejë Njeriun tek ata që i ka përmbysur jeta, ose të kërkojë dhe të gjejë madhështinë njerëzore tek të vegjlit, të harruarit, me një fjalë, të zbulojë shpirtin njerëzor, njësoj të vlefshëm dhe të madh te secila krijesë njerëzore.
Dhe ky zbulim është gjithnjë aq më i madh dhe më bindës për sa më i ulët të jetë rangu fizik e social i heroit (të kujtojmë Kuazimodonë, Fantinën, Jean Valjeanin).
Madhështia dhe vlera e shkrimtarëve rus qëndron pikërisht këtu.
Për këtë arsye humanizmi para së gjithash nuk është mëshirim, përdëllim, tolerancë, edhe pse rezultojnë të gjitha këto rregullisht.
Humanizmi është afirmim i njeriut dhe i lirisë së tij, pohim i vlerës së tij si njeri. As më shumë e as më pak.
Është johumane çdo gjë që e përul personalitetin njerëzor, që e barazon me sendin. Kështu, është humane të pohohet se njeriu është përgjegjës për veprimet e tij dhe ta dënosh. Johumane është të kërkosh prej tij të pendohet, të revidojë qëndrimin, “të përmirësohet” e pastaj t’ia falësh dënimin.
Është më humane t’i ndjekish njerëzit për bindjet që kanë, sesa t’i detyrosh t’i mohojnë, duke ua vënë përpara atë “marrjen parasysh të qëndrimit të çiltër”. Ka, prandaj, dënime që janë humane dhe falje që janë fund e krye johumane. Inkuizitorët pohonin se trupat e njerëzve i kallin për t’i shpëtuar shpirtat. Inkuizitorët modernë bëjnë të kundërtën: “kallin” shpirtin si çmim për trupin.
Ta reduktosh njeriun në funksionin e prodhuesit e të shpenzuesit, madje edhe sikur secilit t’ia sigurosh vendin në prodhim e në shpenzim, s’është humanizëm por dehumanizim.
T’i dresosh njerëzit, madje edhe kur nga ata bën qytetarë “të drejtë” e të disiplinuar, është jonjerëzore.
Edhe arsimimi mund të jetë johuman: po qe se është i njëanshëm, i dirigjuar, i indoktrinuar: po qe se nuk mëson të mendosh, por servon zgjidhjet e gatshme; po qe se njerëzit vetëm i përgatit për funksion e nuk zgjeron horizontet dhe së këndejmi edhe lirinë njerëzore.
Çdo manipulim me njerëzit, qoftë edhe në interes të tyre – është johuman. Të mendosh për njeriun dhe ta lirosh nga obligimet është johumane gjithashtu. Njerëzorja obligon, nuk liron.
Prandaj kur e vuri të zgjedhë para dy rrugëve, duke iu kërcënuar me dënime të ashpra, krijuesi ia dha njeriut dëshminë më të madhe të së vërtetës. Ne mund të dëshmojmë njeriun vetëm duke pasur këtë shembull të tij, duke imituar Krijuesin: t’ia lëmë lirinë për të luftuar dhe për të zgjedhur, në vend që të luftojmë e të zgjedhim për të.
Pa religjion dhe pa “prologun e tij në qiell” s’ka besim autentik se njeriu është pasuria më e madhe. Pa të s’ka as besim se njeriu është i mundshëm dhe se njëmend ekziston.
Humanizmi ateist është kundërthënie, sepse “nëse s’ka Zot, s’ka as njeri (Bergjajev).
Dhe në qoftë se s’ka njeri, humanizmi është frazë pa përmbajtje. Kush nuk pranon Krijimin e njeriut, vënien e enigmës fillestare, nuk mund të zbërthejë kuptimin e vërtetë të humanizmit.
I tilli, meqë ka humbur këtë orientim themelor, humanizmin do ta reduktojë gjithnjë në prodhimin e të mirave materiale dhe të ndarjes së tyre “sipas nevojave”.
T’i sigurosh të gjithë njerëzit të jenë të ngopur është punë e madhe, por sipas asaj që sot dimë për shoqëritë e kamjes, s’është fare e sigurt se vetvetiu me këtë arritje do të kemi edhe botë më të mirë e më humane. Do të ishte edhe më pak e këtillë sikur të zbatoheshin me konsekuencë idetë e individëve për nivelizimin e përgjithshëm, për uniformizimin dhe zhvetësimin në të gjitha sferat.
Në një botë të tillë (e përshkruan Aldous Huxeley në Bota aq e re) s’do të ketë uri dhe gjithandej do të mbretërojë Barazia, Njëjtësia, Stabiliteti.
Megjithatë, të gjithë ne, me vetëdije a instinktivisht, e refuzojmë këtë vizion si shembull të dehumanizimit të përgjithshëm.
“Njeriu është produkt i ambientit të jashtëm” – mbi këtë qëndrim themelor të materializmit mbështeten të gjitha teoritë e mëvonshme johumane të së drejtës dhe të sociologjisë si dhe e tërë praktika e manipulimit me njerëz, e cila në shekullin tonë mori formën monstruoze në praktikën e nazizmit e të stalinizmit.
Këtu hyjnë edhe të gjitha teoritë e tjera, në shikim të parë të qëlluara e të pranueshme mbi epërsinë e shoqërisë ndaj njeriut, mbi shërbimin e njeriut shoqërisë. Njeriu s’mund t’i shërbejë askujt (s’mund të jetë as mjet).
Çdo gjë duhet njeriut t’i shërbejë, ndërkaq njeriu mund t’i shërbejë vetëm Krijuesit. Këtu qëndron kuptimi i parë dhe i fundit i humanizmit.
Nga A.Izetbegoviq