Monday, June 20, 2011

BETIMET – RREGULLA DHE SQARIME

  Betimi ose të bërit be nënkupton përmendjen e një emri apo cilësie të Allahut për ta siguruar dikë se themi të vërtetën, ose se do të kryejmë një veprim patjetër. Në gjuhën arabe bëhet me pjesëzat: “uav”, “ba” dhe “ta” që i përshtaten parafjalëve të gjuhës shqipe: “për” dhe “pash”. Arabisht thuhet: vallahi, bilahi, tallahi që do të thotë: pasha ose për Allahun. Si shembull betimi, duke përmendur një cilësi të Zotit mund të sjellim një pjesë të hadithit, ku thuhet: “Zjarri vazhdimisht do të përsëris: A ka më (njerëz për të hyrë në të), derisa Zoti Krenar të vendosë këmbën e Tij në të e atëherë do të thotë: pasha krenarinë Tënde, mjaft, mjaft”[1]
Sipas pikëpamjes së besimit islam ndalohet rreptësisht betimi te dikush tjetër pos Allahut pa marrë parasysh, sa i shtrenjtë është ai në të cilin betohemi, ngase i madhëruari i vetëm i denjë është Allahu, kurse krijesat nuk mund të madhërohen deri në atë shkallë saqë të betohemi në to. Mu për këtë i Dërguari i Allahut ka thënë: “Ka bërë kufër ose shirk ai që betohet në dikë tjetër pos Allahut”[2]. Nga kjo kuptojmë se të gjitha betimet që i dëgjojmë aty-këtu, si: për kokë të nënës, apo babait, apo fëmijëve, për besë, pasha flamurin, për nderin e fraza tjera të shumta janë gabime që duhet t’i mënjanojmë. Betim mëkatar apo i gabuar gjykohet edhe kur përmendim një frazë pa pasur qëllim betimin, siç bëjnë disa njerëz, të cilët shpeshherë betohen në Qabenë, Profetin, ndonjë të dashur të tyre, edhe pse ai mund të mos ketë për qëllim betimin. Për të kuptuar sa mëkat i madh është betimi në dikë tjetër pos Allahut do të përmendim fjalën e Abdullah ibën Mesudit, që ka thënë: “Për mua më e dashur është të betohem në Allahun rrejshëm, se sa në dikë tjetër me sinqeritet.”[3] Kjo thënie e tij na tregon shumë, sidomos nëse marrim parasysh se betimi në Allahun rrejshëm është mëkat i madh. Përmendja e Allahut apo e ndonjë cilësie të Tij i jep peshë betimit dhe për hir të kësaj duhet që të pranohet fjala e shoqëruar me betim, sidomos kur argumentet mungojnë dhe betimi vjen nga një njeri i drejtë. Buhariu dhe Muslimi na përcjellin se Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Isai i biri i Merjemes kishte parë një njeri teksa po vidhte. I kishte thënë atij: A po vjedh? Jo, pasha Atë pos të cilit zot të vërtetë nuk ka - ishte përgjigjur ai. Isai i tha: Unë i besova Allahut dhe përgënjeshtrova syrin tim.”
Llojet e betimit:
Betimet janë tre lloje: a) betimi i paqëllimtë (el-jemin el-legu), b) betimi fundosës (el-jemin el-gamus) c) betimi i plotfuqishëm (el-jemin el-mun’akide)
Betimi i paqëllimtë:
Më lart përmendëm se: nëse dikush betohet te dikush tjetër pos Allahut, mirëpo pa pasur si qëllim betimin, kjo fjalë e tij gjykohet si një mëkat që duhet mënjanuar. Tani kemi një situatë tjetër dhe bëhet fjalë për atë shprehje që ka formën e betimit (në Allahun apo në ndonjë cilësi të Tij), mirëpo nuk thuhet për t’u betuar, por thjesht një fjalë goje me të cilën është mësuar gjuha. Ky betim nuk sjell pasoja dhe detyrime ndryshe nga betimet e tjera, të cilat sipas Legjislacionit Islam në raste kur ato shprehen bëhen detyra që duhet kryer. Këtë do ta sqarojmë më poshtë, kur do të flasim për dy llojet e betimeve, atë fundosës dhe të plotfuqishëm.
Betimi i paqëllimtë është i falur nga Allahu i Madhëruar. Ai në Kuranin e Tij thotë: “Allahu nuk ju merr në përgjegjësi për betimet tuaja të paqëllimta, por ju merr për ato që i bëni qëllimisht me gjithë zemër. Allahu është i butë dhe fal shumë.”[4], “Allahu nuk ju merr në përgjegjësi për betimet e juaja të paqëllimta (për betim), por ju merr për ato që jeni betuar qëllimisht”[5] Aishja, radijallahu anha, thotë: fjala e Allahut: “Allahu nuk ju merr në përgjegjësi…” ka zbritur për fjalët: vallahi jo, vallahi po…[6].
Betimi fundosës (ose betimi i rremë):
Është betimi i rrejshëm, i cili nëpërkëmb të drejtat e njerëzve, betim me të cilin synohet mëkati dhe tradhtia. Quhet “fundosës”, ngase e fundos në mëkat pastaj në zjarr atë që e thotë. Konsiderohet prej mëkateve më të mëdha dhe nuk ka shpagim të caktuar, ngase nuk hyn në fuqi. Allahu i Madhëruar thotë: “Mos i përdorni betimet tuaja për dredhi mes jush, e të rrëshqitni pas forcimit, e ta shijoni të keqen (e dredhisë), për shkak se penguat (të tjerët) nga rruga e Allahut, e ju do të keni dënim të madh.”[7] Imam Taberiu duke komentuar këtë ajet mes të tjerash thotë: “Mos i bëni betimet e juaja derë për mashtrim e tradhti, duke u munduar ta siguroni palën tjetër, e në fakt fshihni mashtrimin.”[8] Në lidhje me këtë Ebu Hurejra na përcjell se Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem ka thënë: “Pesë gjëra nuk ka shpagim për to[9]: shirku, vrasja pa të drejtë, shpifja mbi besimtarin, ikja nga fronti dhe betimi që domosdoshmërish ia merr pasurinë tjetrit pa të drejtë.”[10]
Betimi i plotfuqishëm:
Është betimi i drejtë që bëhet me këmbëngulje për të vërtetuar veprimin apo mosveprimin e diçkaje. Nëse e çon në vend betimin e tij, atëherë s’ka gjë për të, në të kundërtën ai detyrohet me shpagim. Allahu i Madhëruar thotë: “Allahu nuk ju merr në përgjegjësi për betimet tuaja të paqëllimta, por ju merr për ato që i bëni qëllimisht me gjithë zemër…”[11] Shpagimi për thyerjen e betimit është i përcaktuar në Kuranin Famëlartë. Allahu thotë: “Allahu nuk ju merr në përgjegjësi për betimet e juaja të paqëllimta (për betim), por ju merr për ato që jeni zotuar qëllimisht. E shpagimi i tij (i betimit të bërë) është duke i ushqyer dhjetë të varfër me ushqim mesatar që ushqeni familjen tuaj, ose duke i veshur ata (të dhjetë), ose duke liruar një rob. E kush nuk ka mundësi t’i bëjë këto, le të agjërojë tri ditë. Ky është shpagim për betimet tuaja kur i thyeni ato. Ruani betimet tuaja. Kështu Allahu ju sqaron dispozitat e veta, ashtu që të jeni mirënjohës.”[12] D.m.th. kush thyen betimin e tij ai zgjedh mes tre shpagimeve:
1. ushqimi i dhjetë të ngratëve
2. veshja e tyre
3. lirimi i një robi
Nëse nuk mund t’i bëjë këto, atëherë ai agjëron tre ditë, pra, pika e katërt mund të  zgjidhet vetëm nëse nuk mund të bëjë asnjërën prej tri të parave.
Disa rregulla:
1. Betimi vlerësohet në bazë të nijetit të atij që betohet, d.m.th. kush betohet për diçka, mirëpo dëgjuesi kupton diçka tjetër, vlerësimi bëhet në bazë të nijetit të atij që është betuar, nëse nuk cenon të drejtën e dikujt, përndryshe rregulli themelor është se betimi vlerësohet në bazë të asaj që kupton kërkuesi i betimit, siç ka thënë Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem: “Betimi merret në bazë të nijetit të atij që e kërkon atë.”[13] Argument për të parën është rasti që na përcjell Suvejd ibën Handhali, i cili thotë: U nisëm për tek i Dërguari i Allahut e me ne ishte Vail ibën Huxhri, të cilin e rrëmbeu një armik. Unë u betova se ai ishte vëllai im dhe e lëshuan, ndërkohë që të tjerët ngurruan (sepse në fakt nuk ishte vëllai i tij). Kur u takuam me të Dërguarin e Allahut dhe i treguam për ngurrimin e tyre dhe se unë isha betuar se e kam vëlla, më tha: “Ke thënë të drejtën, muslimani është vëlla i muslimanit.”[14]
2. Është i falur ai që e thyen betimin e tij gabimisht ose në harresë, Allahu i madhëruar thotë: “Zoti ynë, mos na dëno nëse harrojmë ose gabojmë”.[15]
3. Nëse ndonjëri gjatë betimit bën përjashtimin, duke thënë “inshaAllah – nëse do Allahu”, për të nuk ka thyerje betimi. Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Kush betohet për diçka duke thënë “nëse do Allahu” është i lirë ta përmbushë betimin apo ta lërë atë.”[16]
4. “Kush betohet për një gjë, pastaj sheh diçka më të mirë, le ta bëjë më të mirën dhe le të shpaguaj betimin e tij të parë.”[17]
5. Kush betohet se do t’ia ndalojë vetvetes diçka që e ka të lejuar, ajo gjë nuk i ndalohet dhe betuesi ngarkohet me shpagim.


[1] Buhariu dhe Muslimi[2] Tirmidhiu [3] Taberaniu [4] Bekare: 225[5] Maide: 89
[6] Buhariu [7] Nahël: 94[8] Tefsir Taberi: 14/166[9] Nuk ka shpagim (kefaret) do të thotë: nuk fshihet mëkati i tyre me agjërim, lëmoshë apo lirim robërish, ngase kështu shpaguhet betimi i plotfuqishëm. Kjo nuk mohon faktin, se këto mëkate të mëdha mund të shlyhen me pendim të sinqertë dhe duke kërkuar falje nga të dëmtuarit.
[10] Ahmedi, kurse hadithin e vlerësojnë hasen Sujutiu dhe Munaviu.[11] Bekare: 225
[12] Maide: 89[13] Ibën Maxhe, sahih[14] Ibën Maxhe, sahih[15] Bekare: 286[16] Ibën Maxhe, sahih
[17] Muslimi 

Drita-e-jetes.com

Sunday, June 19, 2011

Ku e kam zemrën?



Ky tregim është përcjellë në librin “xhamiu el-ulum ve el-hikem” të Ibën Rexheb el-Hanbeliut (Allahu e mëshiroftë), në sqarimin e hadithit të njëzetekatërtë, ku thuhet:
Njëri prej shoqëruesve të Dhen-nunit sillej vërdallë dhe thërriste: “Ku e kam zemrën time? Mos e ka gjetur ndokush zemrën time?” (Ai thoshte kështu ngase kishte bërë një mëkat, i cili e mundoi aq shumë këtë njeri saqë i dukej se e kishte humbur zemrën me bërjen e atij mëkati). Një ditë, derisa ishte duke ecur në një rrugicë pa një fëmijë që e rrihte e ëma e tij dhe ai qante. Madje, nëna e tij e nxori atë jashtë shtëpisë dhe ia mbylli derën. Atëherë, djaloshi filloi të shikonte djathtas e majtas, por nuk dinte nga të shkonte, nga t’ia mësynte! Pastaj, u kthye kah dera, filloi të qajë dhe të thotë: “Oj nëna ime, kush ma hapë derën, nëse ti ma mbyllë atë? Kush më afron, nëse ti më përzë? Kush gëzohet me mua, nëse ti hidhërohesh nga unë?”
Nëna shikonte nga brenda birin e saj, të cilit i rridhnin lotët nëpër fytyrë; hapi derën, mori djaloshin, e  përqafoi fort dhe tha: “O drita ime, krenaria e  shpirtit tim, nëse do të bëheshe i dëgjueshëm nuk do të sillesha me ty në këtë mënyrë!”
Me këtë rast, njeriu që ishte duke përcjellë ngjarjen, tha i ngazëllyer: “E gjeta zemrën time!!” (Ngase e kuptoi se çfarë deshi t’i thotë Allahu këtij njeriu me këtë shembull).
Allahut i takon shembulli më i mirë.

Përktheu: Fitim Hasani
 Burimi:Shembulli.com

Saturday, June 11, 2011

Porosi nga një dashamirë

  E-Mail
 
Sa mirë është hyrja në dyert e qiellit, atëherë kur mbyllen dyert e tokës! Kënaqësinë më të madhe e përjeton njeriu me Librin e All-llahut, atëherë kur pushojnë sytë dhe thellohen njerëzit në gjumin e tyre, atëherë ngriten burrat e mirë për të lexuar Fjalën e All-llahut me frikërespekt të sinqertë dhe me modesti të plotë, atëherë i mbulojnë melekët me mëshirë, sepse
"Vërtet, leximi i Kur'anit në agim është e përcjellur". [El Isra´, 17:78]

Falënderimi i takon All-llahut. Atë e falënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga All-llahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Kë e udhëzon All-llahu s'ka kush e lajthit dhe kë e largon nga rruga e vërtetë, s'ka kush e udhëzon. Dëshmoj se s'ka hyjni tjetër përveç All-llahut , i Cili është Një dhe dëshmoj se Muhammedi është rob dhe i dërguar i Tij.
"O ju që keni besuar, keni frikë All-llahun me një frikë të denjë dhe mos vdisni, pos duke qenë muslimanë!" (Ali Imran: 102)
"O ju njerëz! Keni frikë Zotin tuaj që ju ka krijuar prej një veteje dhe nga ajo krijoi palën e saj, e prej atyre dyve u shtuan shumë burra e gra. Dhe keni frikë All-llahun që me emrin e Tij përbetoheni, ruajeni farefisin, se All-llahu është Mbikqyrës mbi ju." (En-Nisa:1)
"O ju besimtarë, keni frikë All-llahun dhe thuani fjalë të drejta. Ai (All-llahu) ju mundëson të bëni vepra të mira, jua shlyen mëkatet e juaja,e kush respekton All-llahun dhe të Dërguarin e Tij, ka shpëtuar me një shpëtim të madh." (El-Ahzab:70:71)
Thënia më e vërtetë është thënia e All-llahut, kurse udhëzimi më i mirë - udhëzimi i Muhammedit sal-lall-llahu 'alejhi ve sel-lem. Veprat më të këqia janë ato të shpikurat, çdo shpikje është bid'at dhe çdo bid'at është lajthitje, e çdo lajthitje çon në zjarr...
Vëlla i dashur, sa më vjen turp kur e mar lapsin për të shkruar letër ty. Shembulli im i ngjan një borxhliu i cili vjen për ta kthyer borxhin me vonesë. Ky njeri ec përreth murit dhe e troket derën, duke iu lutur All-llahut që mos ta hapë derën borxhdhënësi, por le të jetë ai që e hapë derën ndonjë fëmijë i tij i vogël, që tia jep borxhin atij dhe të ikë me të shpejtë dhe të fshehet ngta ai një kohë të caktuar. Mendoj se unë nuk dalloj shumë nga ky borxhli. Sa shumë kam dëshirë ta dërgojë këtë letër nëpërmjet ndokujt që të njeh ose të ka farefis, ose tek e fundit të vjen era e ta mer këtë letër për ta dërguar ty, që të ma lehtëson lodhjen e takimit me ty, i cili është i përzier me turp borxhliu. Mirëpo dëshira dhe shpresa ime është e lidhur me natyrën dhe moralin tënd të lartë, i cili më jep guzim të qendroj para teje me këtë letër në dorë, duke mos më shoqëruar frika e e borxhit.
Ndjenja shumë të çuditshme më kapluan kur lexova letrën tënde, ku kërkoje nga unë këshillë: vallë këto janë ndjenja të gëzimit për vazhdimin e besimit dhe dashurisë mes nesh?!
Ose ndjenja e frikës se nuk kam forca ta kryej këtë detyrë?!
Ose ndjenja e dobësisë që më ndalon ta këshilloj atë që ka pozitë të lartë të fesë dhe moralit?!
Ditë të tëra nuk munda ta përcaktoj realitetin e ndjenjave të mia dhe qëndrimin tim ndaj kësaj letreje, derisa përfundova në dy gjëra që s'pranojnë të tretën: ose ta kthej këtë letër ose mos ta kthejë.
Që këto dy solucionet ishin shumë të fuqishme saqë nuk mundesha ti jipen njërës dhe mbetesha në mëdyshje. Mirëpo vendosa ta kthej këtë letër, për ta kryer obligimin tim fetar ndaj besimtarëve, e ndoshta All-llahu bën që të ketë dobi për mua dhe për ty në këtë prosi.
Pika e parë: shoqëruesi yt në këtë rrugë.
Vëlla i nderuar. Sa e rëndë është rruga dhe sa e largët për ate që udhëton vetëm, të cilët nuk marin me vehte shoqërues që do tia lehtëson vështirësitë e rrugës dhe udhëtimit. Muslimani në këtë jetë është udhëtar, ka nevojë për shoqërues në këtë udhëtim, ndihmëtar në këtë betejë, gjersa të arrijë te qëllimi dhe synimi i tij. Sa i lumtër do të jetë ai njeri që ka shoqëruesin e vet në këtë rrugë një njeri të mençur, mendjeprehtë dhe të devotshëm! Sa fatkeq do të jetë nëse shoqëruesi i tij nuk do të jetë i tillë!
Besimtari është i fuqishëm me vëllezërit e tij, kurse i dobët kur të jetë i vetëm, andaj do të mbetët i fuqishëm derisa është në shoqërinë e njerëzve të zgjedhur dhe burrave të mirë, sepse "ujku e hanë delen që ndahet nga kopeja".
Ndihem shumë budalla kur flas për rëndësinë e vëllaut të sinqertë dhe shoqërisë së mirë. Kjo është një e vërtetë që është bërë prej gjërave të padiskutueshme!
Ndoshta disa djelmosha të cilët kanë kaluar një kohë të gjatë në udhëzim do ta kontestonin porosinë e shoqërimit me njerëz të mirë dhe të kapurit fort për ta, mirëpo ata janë në gabim në këtë kontestim, sepse besimtarët në çdo rast, pa marë para sysh se çfarë shkalle ka arritur kanë nevojë për vëllezër të vet, bile edhe Muhammedin [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] e porositë All-llahu duke i thënë:
"Përkufizoje veten tënde me ata që lusin Zotin e tyre mëngjes e mbrëmje, e që kanë për qëllim kënaqësinë (razinë) e Tij, dhe mos i hiq sytë e tu prej tyre e të kërkosh bukurinë e kësaj bote dhe mos iu bind atij që ia kemi shmangur zemrën e tij prej përkjtimit ndaj Nesh dhe i është dhënë epshit të vet, pse puna e tij ka mbaruar". (18:28).
Sa çmenduri e madhe është kryelartësia!!
Pika e dytë: shoqëria kërkon kujdes.
Gabim është, bile është mendjelehtësi të mendosh qe shejtani do të dorëzohet nga lufta nga disfata e parë që do ta përjeton në këtë luftë, ose do të largohet prej nesh nga qëndrimi i jonë parë serioz me vetveten. Nëse pak më parë aludova në rëndësinë e shoqërisë së mirë, atëherë medoemos të aludoj në dy pika të cilat shejtani me të madhe mundohet të na i imponon:
a) të mendojmë se kemi gjetur shoqëruesin e mirë pasi që shoqërohemi me një shoqëri të mirë. Kjo na shtyen të besojmë se jeton me një mik të mirë nga vet fakti pse ai shoqërohet më një grup në përgjithësi i mirë, duke haruar se dobia e madhe vjen nga njerëzit e veçantë të atyre burrave të mirë. Disa njerëz zgjedhin njerëzit më të dobët nga kjo shoqëri dhe prej tyre marin sjelljen dhe moralin e tyre, duke lënë pas shpine burrat e zgjedhur dhe të veçantë prej tyre, me argument se kjo shoqëri në përgjithësi është e mirë. Vazhdon në dobësim dhe ulje me këtë mik të vetin derisa ta harojë vehten dhe ti kalojnë shumë të mira.
Ibn Kajjimi rahimehull-llah tregon të metat e shoqërimit me disa vëllezër dhe thotë:
"shoqërimi me vëllezër është dy llojesh:
Një: shoqërim për rehati dhe kalim kohe. Ky shoqërim është më i dëmshëm sesa i dobishëm, dëmi ma i vogël është prishja e zemrës dhe humbja e kohës.
Dy: shoqërim me vëllezër për bashkëpunim në gjetjen e shkaqeve të shpëtimit, për të këshilluar njëritjetrin në të vërtetë dhe në durim. Ky shoqërim është prehu më i mirë dhe më i dobishëm, mirëpo i ka tre të meta: zbukurimi para njëri tjetrit, bisedimi dhe shoqërimi ma tepër se nevoja dhe shndërrimi në epsh dhe adet që nuk e luan rolin e vet.
b) të mjaftohesh me rolin e mësuesit dhe edukatorit. Edhe pse ky rol është shumë i ndershëm dhe i rëndësishëm, mirëpo, gjithashtu, kujdesi për tu shoqëruar me njerëz të vyeshëm, të mençur dhe të devotshëm është gjë e rëndësishme. Krejt kjo me qëllim që mos të bëhet mendja e njeriut, me kalim të kohës, mendje fëmije në trup të burrit. Maturia është e mirë dhe e kërkuar në çdo gjë.
Pika e tretë: jetë pa shpirtë.
Sa jetë e keqe është jeta pa shpirtë. Tek e fundit smund të ketë jetë pa shpirtë, andaj secili që kërkon vazhdim të jetës pa shpirtë është sikur ai që kërkon të pamundurën. All-llahu thotë:
"Po kështu me urdhërin tonë Ne të shpallëm edhe ty shpirtin (Kur'anin)." (Esh-Shura: 52)
Subhanall-llah! All-llahu quajti Kur'anin shpirtë, andaj kuptojmë se ska jetë të vërtetë pa Libër të All-llahut dhe ska lumturi në dunja dhe ahiret pa Libër të All-llahut. Kur'ani është kënaqësia e atyreve që kërkojnë kënaqje dhe lumturi, është litar i All-llahut i fortë dhe rruga e Tij e drejtë.
Gjëja që ma së miri e edukon njeriun dhe i edukon shokët e vet është ulja me frikërespekt me Kur'anin, larg nga të metat dhe njollat e kësaj bote. Sa e mirë është lidhja me litarin e qiellit, atëherë kur këputen litarët e tokës! Sa mirë është hyrja në dyert e qiellit, atëherë kur mbyllen dyert e tokës! Kënaqësinë më të madhe e përjeton njeriu me Librin e All-llahut, atëherë kur pushojnë sytë dhe thellohen njerëzit në gjumin e tyre, atëherë ngriten burrat e mirë për të lexuar Fjalën e All-llahut me frikërespekt të sinqertë dhe me modesti të plotë, atëherë i mbulojnë melekët me mëshirë, sepse "Vërtet, leximi i Kur'anit në agimit është e përcjellur". (17:78).
Kujdesu të lexosh Kur'an, ta mësosh përmendsh, të lexosh libra të tefsirit, të meditosh rreth ajeteve të Kur'anit dhe të jetosh duke lexuar pjesë të caktuar për çdo ditë. Asnjëherë mos e këput kontaktin tënd me Librin e All-llahut, duke u larguar nga lozjet dhe pengesat e kësaj bote.
"Mirëpo, këtë nuk e arrin kush, pos atyre të durueshmëve, dhe nuk e arrin kush, pos atyre me virtyt të lartë". (41:35).
Pika e katërt: bëhu njeriu më i mëshirshëm ndaj njerëzve.
Vëlla fisnik. Sa të dhemb kur të shohish ndokend që ka probleme. Të dhemb ajo që i dhemb atij dhe qanë për atë që qan ai.
Sa i mëshirshëm je kur ndokush e zgjat dorën, sinqerisht, për ti ndihmuar.
Sa ma i mëshirshëm je kur e lodh veten për ti ndihmuar, duke i dhënë përparësi edhe para vehtes.
Mirëpo dije se, të mëshiroftë All-llahu, do të jesh njeriu më i mëshirshëm ndaj njerëzve, atëherë kur do t'i thërrasish në rrugë të All-llahut, atëherë kur do tua paraqesish dritën e udhëzimit dhe kur ti shpëtosh nga errësira e lajthitjes.
Thirrja në rrugë të All-llahut është detyrë e Pejgamberëve që kanë qenë para nesh, kurse ne kemi nder të bëjmë të njejtën punë dhe të ecim të njejtën rrugë. Dije se thirrja më e madhe në rrugë të All-llahut është edukimi i fëmijëve ta duan All-llahun dhe ta duan Pejgamberin [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], largimi i tyre nga kënetat e amoralitetit. Këtë e thamë në këtë kohë kur një grup njerëzish e nënvlerësojnë detyrën e edukatorëve duke i etiketuar se janë shkurtëpamës, mendojnë sipërfaqësisht dhe miren me arsimimin e fëmijëve.

Vëlla i dashur.
Edukimi i djemve të rinj në ibadete dhe devotshmëri është sfera më e lartë e thirrjes në rrugë të All-llahut, rezultatet e të cilës nuk i sheh askush përveç atij që është largpamës, të cilëve All-llahu ua ka mundësuar ti kuptojnë këto gjëra. Andaj, ata që mendojnë sipërfaqësisht dhe që kërkojnë rezultatet të shpejta le të kullosin livadhet e mendjelehtësisë së tyre dhe le tia lënë këtë gjë atyreve që e meritojnë.
Edukatorët janë prodhuesit e burrave, ngritësit e civilizimeve dhe ndryshuesit e historisë. Secila thirrje që posedon sa ma shumë edukator të sinqertë, është thirrje e cila zgjat shumë kohë, është thirrje që i thellon rrënjët thellë në tokë, thirrje të cilës nuk mund ti bëjë dëm asnjë sprovë dhe fortunë.
Pika e pestë: mos u bë qiri.
E mjeri qiri. Sa i dhimbshëm është fakti që ai digjet për ti ndriçuar tjerët!
Sa i dhimbshëm është fakti që të digjet thirrësi për njerëzit, e ata të ndriçohen me këtë dritë!
Kam për qëllim, lënjen pas dore të vetvetes kur të arrijë njeriu një etapë të jetës së vet duke menduar se plakja i mjafton nga edukimi personal i vetvetes, ose marja me aktivitet të davetit mjafton nga kujdesi për vetveten. Kjo është një rrezik i madh, sepse ai që se ka një gjë nuk mundet me ta dhënë. Pastaj , thirrësi vazhdimisht është në pozitë të shembëlltyrës, andaj duhet gjetur metodë për edukim personal, metodë për ta ngritur imanin e vet, metodë për tu kujdesur për zemrën dhe për ta kultivuar devotshmërinë e tij, që mos të bëhemi sikur qiriu, të digjemi e tjerët të kënaqen me dritën tonë.
Pika e gjashtë: trashëgimia e pejgamberëve.
Edhe pse thirrja në rrugë të All-llahut është e rëndësishme dhe me vlerë, ashtu sikur përmendëm ma parë, mirëpo mundet ti bëhet shkatërrim nëse nuk ka bazë të fortë dhe material origjinal, nëse nuk ka dituri fetare. All-llahu thotë:
"Thuaj: "Kjo është rruga ime, e vënë në fakte të qarta, e që unë dhe ai që vjen pas meje. Larg të metave është All-llahu, e unë nuk jam nga idhujtarët". (12:108).
Secila thirrje, pa marur para sysh aktivitetin e saj, është thirrje e zbrazët nëse nuk përmban dituri të pjekur, bile mundet të jetë thirrje në injorancë, andaj dalja e xhemateve të devijuara është rezultat i thirrjeve të zbrazura nga dituria fetare e vërtetë.
Secili ibadet që nuk bëhet në përputhje me udhëzimin e Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], pa marur para sysh sa shumë është, është mangësi dhe e metë, sidomos kur i mungon dituria e sherijatit. Dalja e xhemateve të devijuara të asketëve është vetëm rezultat i përhapjes së madhe të injorancës në radhët e tyre.
Në dituri ka jetë të cilën nuk e di ai që se ka shijuar ëmbëlsinë dhe kënaqësinë e saj. Besoj se po pati njerëz të zgjedhur në një shoqëri, atëherë dijetarët janë të parët e tyre. All-llahu thotë:
"Po All-llahut ia kanë frikën nga robërit e Tij, vetëm dijetarët". (35: 28)
Pika e shtatë: sinqeriteti që ka nevojë për sinqeritet.
All-llahu thotë:
"...për t'ju sprovuar se cili prej jush është më vepërmirë". (67: 2)
Pra, All-llahu i Lartësuar në këtë rast ka bërë bazë të mbivlerësimit, mirësinë, e nuk e ka bërë numrin e madh, pra sqenka me rëndësi numri i madh, por lloji dhe gjinia e mirë.
Ma së miri që ndihmon në përmirësimin e një vepreje dhe meritimin e cilësisë "i mirë", është sinëeriteti. Bile sinqeriteti është materiali i vërtetë i një vepre, sepse pa te, ekzistimi i një vepreje dhe mosekzistimi është i barabartë.
Vëlla i nderuar. Sa vuajnë njerëzit e drejtë për sinqeritet, mirëpo nuk është kjo gjë problem, sepse hapi i parë drejt arritjes është vuajtja për atë gjë. Por medoemos duhet shoqëruar këtë me durim dhe insistim, nëse dëshiron të arrijë njeriu në qëllimin dhe synimin e vet, edhe pse kjo mund të vonon. Vazhdimisht ke dro nga mahnitja me veprat tuaja, sepse disa dijetarë të selefit kanë thënë: "kush mendon se në sinqeritetin e tij ka sinqeritet, atëherë sinqeriteti i tij ka nevojë për sinqeritet".
Vëlla i nderuar. Këto porosi që i kam përmendur, për të cilat, unë, vall-llahi, kam ma shumë nevojë se ti, ndoshta nxisin te ti ambicje të punës dhe gjallëri të prodhimit, kurse kjo është ajo që e shpresoj. Ndodh që njeriu në fillim mos të mundë të arrijë realizimin e krejt këtyre gjërave, mirëpo s'prishë punë. Le të provon sërish, le të lufton, le të duron derisa të arrijë qëllimin e vet. Mos mendo se kjo gjë është e lehtë, por është një synim për të cilin njerëzit kanë dhënë edhe shpirtin. Zbritja çmimin gjëjës së shtrenjtë për të arritur këtë qëllim, All-llahu të drejtoftë në rrugë të drejtë, "E ata, të cilët luftuan për hir Tonë, Ne, me siguri do t'i orientojmë rrugës për te Ne". (29: 69).
Në fund, vëlla i nderuar. Kërkoj falje për mangësinë që kam shprehur gjatë këshillimit tim dhe sjelljes së keqe që kam paraqitur gjatë përmirësimit tënd. Ky është mund i njeriut më pak dituri, andaj shpresoj se do të ma falish dhe nuk do të ma zësh për të madhe dhe dije, të mbroftë All-llahu, se këto fjalë i kam shkruar pas një mëdyshje të madhe, sepse e dija se jam i dobët dhe kam pak dituri.
All-llahun e lus që të më ndihmojë mua dhe ty në realizimin e aspiratave tona, të na i fal gjërat që i bëjmë pa dije dhe tejkalimin e kufijve tona.

Bekir Halimi, 3.3.2000

Friday, June 10, 2011

Jeta me ALL-LLAHUN (jeta me e mire).

Jeta me Allahun


Allahu i Lartësuar do prej robit të Tij dy gjëra:
E para: T’i zbatojmë urdhërat e Tij dhe,
E dyta: Të largohemi nga ndalesat e Tij.

Jeta është argument për njeriun ose kundër tij. Kalojnë momentet, orët, ditët e vitet e saj. Të tëra kalojnë dhe e shpijnë atë drejt dashurisë së Allahut dhe kënaqësisë së Tij. Gjersa të jetë prej triumfuesve, banorëve të Xhennetit.
Apo të tërat i kalojnë dhe e shpijnë drejt zjarrit dhe hidhërimit të Atij që është i Vetëm, Gjykues.

Jeta të bën të qeshësh një moment, e që më pas të qash tërë kohën. Apo të bën të qash një moment, e që më pas të qeshësh tërë kohën.

Jeta ose është mirësi për njeriun, ose vuajtje. Kjo jetë të cilën e jetuan të parët. E jetuan baballarët, gjyshërit. E jetuan të mëparshmit dhe ecën drejt Allahut të Lartësuar me veprat e tyre.

Jetë d. m. th. çdo moment që e jeton dhe çdo orë që e kalon. Në këto çaste ne jetojmë një jetë ose në favor tonin ose kundër nesh. Njeriu i suksesshëm dhe i lumtur është ai që e vështron këtë jetë dhe e njeh realitetin dhe vlerën e saj.
Kjo jetë, pasha Allahun, sa herë i ka bërë shumë njerëz të qajnë dhe nuk janë terur lotët e tyre. Dhe, sa e sa herë i ka bërë disa njerëz të qeshin e që më pas nuk iu kanë kthyer buzëqeshjet dhe gëzimi i tyre.
Jetën, të dashurit e mi për Allahun, Allahu e ka bërë sprovë dhe provim. Dhe test, që në të shfaqen fshehtësitë e robërve.
E pastaj ose fitues me mëshirën e Allahut, i lumtur, ose i privuar nga kënaqësia e Allahut, fatligë dhe i larguar. Çdo çast që e jeton, ose Allahu është i kënaqur me ty në atë çast ose e kundërta, prej të cilës kërkojmë strehim te Allahu. Këto çaste ose të afrojnë afër Allahut, ose të largojnë prej Tij.

Ndoshta e jeton një moment të vetëm ku ndjen dashurinë e Allahut, afërsinë ndaj Tij, e të falen të këqijat e jetës, të falen mëkatet e jetës. Ose e jeton në të një moment të vetëm ku devijon nga rruga e Allahut dhe largohesh nga respekti ndaj Allahut dhe kjo bëhet shkak që njeriu të jetë i pafat tërë jetën e tij.
E lusim Allahun të na ruajë dhe të na mbrojë!

Në këtë jetë janë dy thirrës: thirrësi në mëshirën e Allahut, në kënaqësinë dhe në dashurinë e Allahut. Ndërsa thirrësi i dytë thërret në të kundërtën e saj. Epsh që urdhëron në të keqe, apo teke që tërheq drejt një përfundimi të keq.

Njeriu ndoshta e jeton një moment të jetës së tij, dhe në të qan nga pendimi për neglizhecën në obligimet ndaj Allahut, e Allahu për këtë të qarë, ia ndërron të këqijat në të mira.
Sa e sa njerëz kanë bërë mëkate dhe sa e sa njerëz kanë vepruar vepra të këqija, dhe sa e sa njerëz janë larguar dhe për kohë të gjatë kanë munguar nga obligimet ndaj Zotit të tyre, ishin larg nga mëshira e Allahut dhe të panjohur për kënaqësinë e Tij. Dhe ju erdh ai moment, iu erdhi “jeta e mirë” që e synojmë.
Që të rrjedhin prej tyre lotët e pendimit, dhe të ndizet në zemër motivi i dhembjes. Dhe njeriu e ndjen se sa gjatë ka qenë larg Allahut dhe sa ka munguar nga Ai. Atëherë njeriu thotë: “Unë pendohem te Allahu, i kthehem mëshirës dhe kënaqësisë së Tij. Ky moment është momenti që përbën çelësin e lumturisë për njeriun.

Momenti i pendimit

E sikur që thonë dijetarët: “Njeriu ndodh të bën shumë mëkate. Por, nëse pikëllimi dhe pendimi i tij janë të sinqertë, Allahu ia ndryshon të këqijat në të mira.“
Jeta e tij bëhet e mirë për shkak të mirësisë së këtij pendimi dhe këtij sinqeriteti që e ndjen në dhembjen dhe pikëllimin e tij.

E lusim Allahun, Zotin e Arshit fisnik, që të ngjallë në zemrat tona zërin e arsyes që thërret në mëshirën e Tij! Si dhe të ngjallë në ne dhembjen që e ndjejmë për shkak të shkujdesit në respektin e Tij!

Duam që secili nga ne ta pyes veten për natën dhe ditën. Sa herë ka ndenjur i zgjuar natën pa dobi dhe sa orë të tëra ka kaluar kot? Sa ka qeshur në këtë jetë? Kjo qeshje a e ka kënaqur Allahun e Lartësuar?
Sa ka bërë qejf në këtë jetë? Kjo kënaqësi a e ka bërë Allahun të kënaqur më të? Sa herë ka ndenjur zgjuar natën (pa dobi) dhe a e ka kënaqur kjo Allahun e Lartësuar? Dhe sa e sa, sa e sa pyetje të cilat ia parashton vetes së tij.

E ndoshta dikush nxiton të thotë: Pse të pyes kësisoj?
PO. E parashtron këtë pyetje ngase nuk ka çast as sa hap e mbyll sytë e që nuk vërtitesh në dhuntitë e Allahut.
Prej turpit dhe drojës ndaj Allahut, është të ndjejë madhësinë e mirësive të Allahut ndaj tij. Prej turpit dhe drojës është të ndjejmë se ushqehemi nga ushqimi i Allahut, pimë nga uji të cilën e ka krijuar Allahu, ne marrim për hije qiellin dhe ecim mbi sipërfaqen e tokës së Tij, si dhe vërtitemi në mëshirën e Tij.
Çka ofrojmë për tërë këtë në shenjë falëndërimi? - pyet njeriu veten e tij.
Mjekët thonë: Në zemrën e njeriut është një substancë që nëse shtohet për 1 % apo nëse pakësohet për 1% njeriu vdes menjëherë.
Çfarë mirësie, çfarë mëshire, çfarë dhembshurie dhe në çfarë dashurie prej Allahut është i mbështjellur njeriu!

Le ta pyes njeriu veten vetëm për mëshirën e Allahut, nëse ai zgjohet dhe dëgjimin e ka të mirë, gjithashtu shikimin dhe fuqinë!

Kush ia ruajti atij dëgjimin dhe shikimin dhe kush ia ruajti atij mendjen dhe shpirtin?
Kush e begaton atë me shëndet dhe e ruan nga çdo e keqe?
Të sëmurët në shtretërit e bardhë rënkojnë dhe ndjejnë dhembje. Ndërsa Allahu na shpreh dashuri përmes këtyre dhuntive. Na shpreh dashuri përmes shëndetit e shpëtimit si dhe përmes sigurisë dhe qetësisë. Krejt kjo me qëllim që të jetojmë “jetën e mirë”.

Allahu i Lartësuar do prej robit të Tij dy gjëra:
E para: T’i zbatojmë urdhërat e Tij dhe,
E dyta: Të largohemi nga ndalesat e Tij.

Ai që thotë: afërsia ndaj Allahut e bën jetën të dhembshme, ai ndan mendim të gabuar ndaj Allahut.

Pasha Allahun, nëse jeta nuk bëhet e mirë me afërsinë ndaj Allahut, atëherë nuk do të jetë me diç tjetër. E nëse nuk bëhet e mirë me veprimin e urdhërave dhe largimin nga ndalesat e Tij, atëherë nuk do të bëhet e mirë me diç tjetër.

Njeriu i provon të gjitha kënaqësitë por, nuk do të gjejë sikur kënaqësinë në adhurimin e Allahut, përmes zbatimit të urdhërave të Tij dhe largimit nga ndalesat e Tij.

Ti je i urdhëruar me dy gjëra: ose të vjen urdhri të veprosh ose të mos veprosh.
Kur do të veprosh diçka në jetë pyete veten: A të ka lejuar Allahu i Lartësuar ta veprosh këtë punë apo të ka ndaluar? Për çdo gjë që e vepron bëj kështu.

Trupat janë pronë e Allahut, zemrat janë pronë e Allahut, shpirtërat janë pronë e Allahut.

Pasha Allahun! Nuk vepron njeriu diçka apo nuk lë diçka tjetër e me këtë dëshiron mëshirën e Allahut, e që të mos e bëj Allahu të lumtur atë.
Për këtë, lumturia reale dhe jeta e mirë është në afërsinë ndaj Allahut.
Afërsinë ndaj kujt? Mbretit të mbretërve dhe Sunduesit të qiejve dhe tokës.
Vetëm Atij i takon urdhri, krijesat janë të Tij dhe sundimi i takon Atij!

Për këtë e gjen njeriun gjthmonë të shqetësuar dhe të lodhur.
E gjen një person i cili i ka shijuar të gjitha epshet megjithatë, pasha Allahun, do të gjesh që ai i cili më së shumti i shijon epshet është njeriu që më së shumti vuan nga dhembja shpirtërore, është ai që më së shumti ndjen shqetësim shpirtëror dhe që më së shumti është i mërzirur nga jeta.
Kërko neriun më të pasur dhe do ta gjesh njeriun më të mërzitur dhe të lodhur në këtë jetë. Pse? Ngase Allahu e ka bërë qetësinë e shpirtërave në afërsinë ndaj Tij. Dhe e ka bërë kënaqësinë e jetës në afërsinë ndaj Tij. Dhe e ka bërë mirësinë e jetës në shoqërimin me Të.

Njeriu e falë një namaz prej namazeve të obliguara dhe sapo ta kryen rukunë, sexhden dhe adhurimin ndaj Tij e të del nga xhamia e ndjen një qetësim shpirtëror. Pasha Allahun, sikur të shpenzonte pasurinë e kësaj bote nuk do ta arrinte këtë qetësi shpirtërore.

“JETA E MIRË” është në afërsinë ndaj Allahut. Jeta e rehatshme është në afërsinë me Allahun. E nëse jeta nuk bëhet e mirë me afërsinë ndaj Allahut, atëherë me çka do të mbarësohet?!

Sheikh Muhammed Al-Mukhtar Ash-Shinqetee.

Thursday, June 9, 2011

JETA PAS PENDIMIT




Me emrin e Allahut të Gjithëmëshirshmit. Elhamdulilah, Allahun e falënderoj që na njoftoi nëpërmjet Vulës së Profecisë, se një nga emrat e Tij është Tevab (Pranuesi i pendimit), që mbi të gjitha të inspiron faktin, se kemi të bëjmë me një atribut të Zotit, me të cilin kanë të bëjnë besimtarët muslimanë, Një Zot, i cili është Pranim-pendues, që do të thotë se vazhdimisht do të kemi të bëjmë me fajtorë, gjynahqarë, mëkatarë dhe se vazhdimisht do ta gjejmë Zotin, i Cili na fal, na mëshiron dhe pendimin e pranon përherë. 
Herët, shumë herët në kohë kur Zoti e krijoi nga balta njeriun e parë Ademin në nderim të Tij, dhe si adhurim ndaj Krijuesit për këtë krijesë të bukur, të veçantë dhe të ekuilibruar u urdhëruan krijesa më të mira t’i përulen. Të gjithë u përulën përveç njërit, që ishte vetë Djalli/Shejtani dhe që të gjithë sjellim ndërmend përbetimin e tij, se “Pasha Zotin  s’do t’i ndahem “këtij” sa të ketë shpirt në trup”. I Gjithëpushtetshmi, i Gjithëmëshirshmi betohet në Madhërinë tij duke thënë, se do t’i fal derisa më kërkojnë falje derisa tek unë Zoti i tyre, pendohen.
Zoti në konceptin e doktrinës Islame është një Zot me të Cilin mund të komunikosh direkt dhe t’i flasësh pa pasur nevojën e dikujt, “oborrtari” apo ndërmjetësi që të të fusë tek Ai e t’i rrëfehesh. Jo, jo dera e Tij është e hapur dhe Ai në çdo moment ty po të pret, dhe të jesh i sigurt, se do ta gëzosh Atë jashtë mase, dhe do të jetë më se i kënaqur me këtë ndërmarrje tënden. Në Kuran Ai neve na drejtohet kur thotë: “Nëse të pyesin ty, o Muhamed, për Mua, Unë jam afër jush, pranë jush”. Gjithashtu kur thotë: “O robërit e mi, ju që i keni humbur shpresat nga mëshira e Allahut, mos i hiqni shpresat nga mëshira e Allahut”, po pse?  Sepse “Allahu nuk le gjynah pa falur”.
Diku na njofton, se fal edhe politeizmin, paganizmin, idhujtarinë, që janë dhe mëkatet më të rënda, po kështu na njofton se fal imoralitetin, zullumin, dhe... dhe... dhe... dhe pafundësisht, sado që të jenë të shumta dhe të mëdha gjynahet, ato nuk mund të barazohen me këtë cilësi dhe atribut të të madhit Zot, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit, që është Pranuesi i pendimit. Mendoj se një fakt është shumë i rëndësishëm për t’u ditur, sepse njerëzit në institucionin e pendimit janë dy ekstreme dhe të mesmit. Ekstremi i parë, janë ata që nuk pendohen dhe vazhdojnë të mëkatojnë, se Zoti fal dhe është i mëshirshëm, dhe harrojnë se që Zoti të të falë duhet t’ia kërkosh këtë dhe të ndjesh keqardhje, jo të kënaqesh e të ndjehesh mirë dhe të shpresosh tek mëshira dhe falja pa e kërkuar mëshirën dhe faljen. Ekstremi dytë, janë ata që thanë: po Zoti s’të fal po e dite... Zoti të fal atëherë kur ti nuk e di, ose që thonë Zoti ta fal një herë po jo përherë e si pasojë s’kthehen më te Zoti që t’i pendohen Atij me sinqeritet.
Te të dy ekstremet vërejmë mos-pendimin dhe mos-kthimin tek Allahu dhe mos-njohjen ashtu siç duhet të Zotit, apo të doktrinës Islame në përgjithësi dhe institucionit të pendimit në veçanti, të cilin po e trajtojmë në këtë shkrim të shkurtër. Prandaj me të drejtë thuhet në Suren Bekare, se mëkatarët janë injorantë që të mos tingëllojë keq të paditur, të panjohur me të drejtën dhe të vërtetën dhe të Vërtetin  në momentin kur mëkatojnë dhe super-injorantë kur s’dinë që t’i thonë Zotit: na fal dhe na mëshiro.
Herë pas here Allahu na jep shembuj të pendimit në Kuran që të mësojmë të pendohemi dhe se s’ka mëkat të pafalshëm përderisa je gjallë. Ekstremi i rasteve, ose shembujve, nëse do të na lejohej ta quanim kështu ishte mëkati i babait të njerëzimit Ademit bashkë me nënën e njerëzimit Havanë, që mëkatuan në parajsë pasi u mashtruan prej Shejtanit/Djallit e megjithatë Zoti në momentin që u penduan na njofton, se ua pranoi pendimin dhe i fali pasi  i zbriti në tokë dhe nuk ua la njollën e mëkatit mbi shpinë, që ta mbartnin më vonë pasuesit e tyre e që si pasojë të vinte një qengj i jashtëzakonshëm e të bëhej kurban për të gjithë mëkatet e njerëzve, lexo gjithmonë sipas besimit  Islam. Interesant është fakti që Zoti ynë Allahu zgjodhi për hallkën e fundit të profecisë në tokë Muhamedin sal-lallahu alejhi ue selem, një titull shumë interesant, Nebiju teubeh-Profeti i pendimit, titull ky që në vetvete mbart disa kuptime, nëse e pason atë automatikisht konsiderohesh i penduar, me pasimin e tij mëson sesi të pendohesh, se pendimi është virtyt specifik i vulës së profetëve në tokë dhe i pasuesve te tij. Ibën Kajimi thotë: “Pendimi është fillimi i rrugës për te Zoti, mesi dhe fundi, mbyllja. Diku tjetër shkencëtarët muslimanë i kanë vënë një titull tjetër uadhifetul-umur, detyra e jetës. Kjo do të thotë pra, se jeta sikur s’ka kuptim, nëse nuk ka në të edhe pendim të vazhdueshëm, të përhershëm, ashtu siç është dhe vetë natyra e njeriut faji i përhershëm.
Teologët e mëdhenj muslimanë i rendisin bukur të ashtuquajturat kriteret e një pendimi të pranuar, që janë: 1. Sinqeriteti, 2. Keqardhja, 3. heqja dorë, 4. Dëshira për të mos iu kthyer, 5. në afatin e duhur, 6. (dhe kjo ka të bëjë me njerëzit) të kthesh të drejtat e tyre nëse është e mundur.
Pas pendimit.
Jeta pas pendimit ecën mes dy koncepteve, ai i frikërespektit dhe shpresës të udhëhequra nga dashuria për Atë, që të orientoi deri në këtë hap, sa të duhur po edhe me vend. I penduari duhet t’i përjetojë patjetër këto momente dhe se sa më shumë t’i përjetojë, aq edhe më shumë do të ketë efekt  pendimi i tij për të ndryshuar jetën në një jetë më të mirë.
1.          Falënderues ndaj Allahut për këtë mirësi, sepse premtimi është: “Nëse falënderoni Unë, Zoti do t’jua shtoj mirësitë e mia ndaj jush”, dhe më pas të lutet që t’i japë Zoti qëndrueshmëri në të. Meditimi i përhershëm në gjendjen e atyre që janë të privuar nga ky hap i rëndësishëm i suksesit në jetë.
2.          Sinqeriteti me Allahun, si mënyra më e mirë për t’i ruajtur dhe vazhduar marrëdhëniet me Krijuesin dhe mos të harrojë së sjelli ndërmend, se pak me sinqeritet është shumë, ndërsa shumë pa sinqeritet është pak.
3.          Sill në mendje vazhdimisht se përsëri me të njëjtin Zot ke të bësh, me Atë që kishe të bëje para se të pendoheshe.
4.          Lutjet duhet të jenë të pandërprera, sepse është pikërisht energjia me të cilën furnizohet dhe ndriçohet shpirti dhe zemra.
5.          Dhikri, përmendja e Allahut është ushqimi pa të cilin shpirti vyshket dhe shpresa thahet.
6.          Kujdesi ndaj namazit, sepse ai në natyrën e vet është një lloj pendimi dhe fshirës i mëkateve, lidhje direkt me Zotin, që të bën më të ndjeshëm dhe sensibël ndaj ambientit që të rrethon.
7.          Marrja e abdesit mirë dhe rregullisht, sepse ai është pastrues fizik dhe metafizik.
8.          Sadakaja, lëmosha e cila shuan hidhërimin e të Gjithëmëshirshmit, siç shuan uji prushin e zjarrit.
9.          Shoqëria e mirë dhe e përzgjedhur, edhe nga mesi i besimtarëve me përzgjedhje punohet.
Nëse pas pendimit...
Nëse mëkatoj pasi jam penduar d.m.th., se unë “s’bëhem më”. Pendimi dhe procedura islame e të penduarit nuk do të thotë domosdoshmërisht i pamëkate pas saj, jo. Atëherë cili është pendimi i suksesshëm? Është ai lloj pendimi që të bën të ndjeshëm. Kur e pyetën njërin prej burrave të moçëm, si i bëhet me njeriun që mëkaton dhe pendohet përsëri, mëkaton dhe pendohet, a i pranohet atij kjo gjë, ose më mirë kjo sjellje; ai u përgjigj duke thënë me këtë deshi Shejtani që t’ju bëjë pesimistë. I dashuri i Allahut Muhamedi alejhi salatu ue selam na njofton se: “Nëse njeriu e bën një gjynah dhe ndjen keqardhje për këtë, dhe i drejtohet Allahut duke u lutur dhe i thotë: “O Allah, o Zoti im, unë mëkatova dhe jam i ndërgjegjshëm, që s’më fal askush tjetër përveç Teje: “O Zoti im, më fal Ti mua.” Zoti në atë moment flet dhe thotë: “Robi im e di se s’ka Zot që mund ta falë përveç meje, kështu që do ta fal robin Tim. Nëse njeriu e përsërit përsëri, Zoti e përsërit e nëse ai e përsërit përsëri dhe Zoti e përsërit përsëri dhe nëse e përsërit e kështu me radhë derisa Zoti të thotë: “Robi im le të bëjë ç’të dojë, se unë prapë do ta fal.”
Logjikisht kjo është më se e pranueshme, se sado që të mëkatojë njeriu mëshira e Allahut është më e madhe se mëkatet e tij. Fëmija e pyet të atin:
- Babë, a ka diçka që është më e madhe shumë, se rëra e shkretëtirës?
- Po, uji i detit.
- Diçka më shumë se uji i detit?
- Yjet në qiell.
- Më shumë se kaq?
- Bota e engjëjve.
- Më shumë se kaq?
- Gjynahet e babait tënd.
- Po më shumë se kaq?
- Eh, more bir, mëshira e Zotit tënd...- dhe lotët i rridhnin nga sytë e tij të lodhur dhe të strukur në guaskën e mendimeve dhe të meditimit.
Allahu kur flet për trashëgimtarët e Tokës së premtuar (Xhenetit), asnjëherë s’ka thënë se është kusht i domosdoshëm të qenit pa mëkate, ose mos-rënia në gjynahe ka thënë: “Ata që vazhdimisht pendohen te Zoti”, nëse do të ishin të pamëkate s’kishin pse të pendoheshin kaq shumë. Madje Zoti kështu e bëri njeriun mëkatar dhe fajtor, dhe do që ai të pendohet vazhdimisht. Profeti i Islamit, alejhi salatu ue selam thotë: “Të gjithë bijtë e Ademit (njerëzit) janë të fajshëm dhe më i miri ndër të fajshmit është ai që pendohet”.
Do të doja ta mbyllja këtë temë me dy gjëra të rëndësishme, e para ka të bëjë me faktin se s’ka mëkat të pafalshëm sa je gjallë; e dyta, se çdo vepër e mirë fshin mëkatet dhe gjynahet, duke e ilustruar me dy shembuj, i pari, rasti i Ebu Sufjanit radijAllahu anhu, i cili dy-tre herë tentoi dhe ishte shkaku që të ndizeshin luftërat mes muslimanëve dhe paganëve mekas, megjithatë kur u pendua, atij iu pranua pendimi. Rasti i dytë, një djalosh vjen pasi ishte falur namazi i mbrëmjes te Profeti i Zotit dhe i turpëruar i drejtohet: “Unë kam mëkatuar!”. Përgjigja e Profetit të pendimit siç e thamë më lart ishte: “A nuk u fale me ne?”, dhe e përforcoi fjalën e tij me ajetin kuranor: “Inel hasenati judhibnesejjiati- Veprat e mira i fshijnë gjynahet”.
O Allah, o Zot i gjithësisë, o i Gjithëmëshirshëm Mëshirues, o Ti që je Pendim-pranues, të lutemi Ty të jemi të suksesshëm e që përherë te Ti të përgjërohemi me pendim e Ti siç e ke zakon të na japësh me bujarinë Tënde Pranimin e pendimit, O Më i miri që mund t’i lutemi dhe më i Merituari. AMIN

Shkruan: Ahmed KALAJA

[Burimi / AlbIslam]