Saturday, June 2, 2012

QËNDRIMI YNË NDAJ MODËS DHE MODERNIZIMIT




Shkruar nga Bahri Curri


Njeriu gjatë jetës ballafaqohet me probleme dhe te­l­a­she të shumta. Rrjedha e ngjarjeve, fenomeneve dhe pr­o­ceseve të ndryshme e bën njeriun që mbi disa sende apo dukuri të krijojë opinion të caktuar apo të ndryshojë opinionin e mëhershëm.
Formimit të bindjes natyrisht se i paraprijnë disa argumente dhe fakte, të cilat vetëm se e forcojnë atë.

Argumentet shërbejnë jo vetëm si faktorë për for­m­i­m­in e bindjeve në baza të vërteta, por edhe si faktorë qetësimi dhe stabilizimi për shpirtin e njeriut.
Kjo për arsye se e tërë veprimtaria e njeriut varet nga bindjet e tij, dhe për këtë çdo njeri kujdeset dhe angazhohet që ato t'i vërtetojë me argumente, apo sipas argumenteve të krijojë edhe bindjet.
Me këtë dëshiron të krijojë bindje të drejta e të shëndosha dhe që pastaj e tërë veprimtaria e jeta e tij të jetë në binarë të drejtë dhe ashtu si i takon qenies së quajtur "njeri".
Vërtetë, njeriu, qenia e gjallë e vetme në Tokë e pa­j­i­sur me të menduarit, e ka për obligim të angazhohet dhe të hulumtojë të vërtetën, të drejtën, të arsyeshmen dhe të moralshmen, duke kërkuar argumentet e bazës së tyre të shëndoshë.
Njeriu gjatë hulumtimit dhe kërkimit të mirëfilltë gjen argumentet e vërteta.
Ndodh shpesh që edhe pse ekzistojnë argumente dhe zbulohet e vërteta, shumë njerëz nuk e ndjekin rru­g­ën e argumenteve, por qëndrojnë në bindjet e tyre me pa­ragjykime të caktuara, dhe fatkeqësisht, pjesa dër­muese e njerëzve në botë qëndrojnë në këto pozi­cione.
Jo rrallë ndodh që disa njerëz, duke hulumtuar ar­gu­mentet e së vërtetës dhe të së drejtës (po disa as që ang­a­­zhohen në këtë aspekt dhe as që e shohin të arsyshme të angazhohen), disa gjëra dhe fenomene i marrin si argumente dhe fakte, që në realitet nuk mund të merren dhe as të pranohen si argumente, ngase në esencë nuk janë argumente fare ose janë argumente jo të shëndosha.
Shpallja Hyjnore – Islami i erdhi njerëzimit nga i Plo­tfuqishmi Allah, sistem i gatshëm, i vënë mbi ar­gumente të qarta, rregullues i jetës praktike të njeriut në çdo segment, duke bërë që e tërë veprimtaria e nje­riut të jetë në binarë të shëndoshë, në rrugë të drejtë e të ar­syeshme, ashtu siç i takon njeriut si qenie me logjikë e arsye, e mbi të gjitha këto si besimtar i denjë i Allahut xhel-le shanuhu dhe përfaqësues i Tij në Tokë.
Për këtë qëllim dërgoi pejgamberë të shumtë që njerëzimit t'ia shpjegonin këtë sistem të përkryer duke i thirrur ata që ta zbatojnë në jetën e tyre praktike.
Andaj edhe Pejgamberi ynë i dashur, Muhammedi alejhi selam, ishte i ngarkuar me këtë mision të lartë, Allahu xhel-le shanuhu i thotë atij në Kur'an:
"Thuaj: Kjo është rruga ime, e vënë në fakte të qarta, e që unë thërras tek Allahu, unë dhe ai që vjen pas meje. Larg të metave është Allahu, e unë nuk jam nga idhujtarët." [Jusuf, 180]
Nga ky ajet na bëhet e qartë se rruga, për të cilën thirri dhe të cilën ndoqi Muhammedi alejhi selam, dhe pasuesit e tij, është Islami i shpallur me argumente nga Allahu xhel-le shanuhu, i Cili është i pagabu­es­hëm dhe i pa të meta.
Ata që ndjekin rrugë tjetër përveç Islamit, janë idh­u­j­tarë, ngase pranojnë sistemin e vënë nga ai që gabon dhe që nuk është i përsosur, duke i bërë Allahut xhel-le shanuhu shok. Allahu i Plotfuqishëm nuk ka rival dhe Ai është i Vetmi, i Gjithdijshmi, dhe askush tjetër përveç Allahut s'mund të vendosë sistem të përsosur.
Andaj, të gjithë njerëzit e veçmas muslimanët e ka­në për obligim të ndjekin rrugën e Allahut xhel-le shan­u­hu dhe çdo segment të jetës ta konfirmojnë me Isla­m­in.
Këtu nuk dua të zgjerohem shumë, por më tepër do të ndalem në trajtimin e një dukurie, të përhapur shumë në mesin e njerëzve, të quajtur modë dhe modernizim.
Siç e dimë, fjala modë nënkupton tërësinë e shijeve, zakoneve e dëshirave, etj., të përbashkëta të një rrethi shoqëror a shtrese shoqërore në një kohë të caktuar, të cilat karakterizojnë mënyrën e tyre të jetesës (në veshje, në sjellje, në ndërtimin dhe mobilimin e bane­save etj.) apo model rrobash a këpucësh që është për­hapur gje­rë­sisht në një kohë të caktuar. Thënë ndryshe, modë është diçka që është e përhapur gjerë e ndiqet nga shumë veta në një kohë të caktuar, diçka e kohës.
Ndërsa me modernizimin nënkuptojmë shfaqjen mo­d­erne apo marrjen e tipareve të reja të kohës a të ep­o­kës, në të cilën jetojmë, përvetësimin e njohurive dhe shprehive moderne. Po ashtu me modernizim nën­ku­p­to­j­më përsosjen e diçkaje në mënyrë të atillë që t'u për­gji­gjet nevojave dhe kërkesave të kohës së sotme.
Disa njerëz, të cilët nuk angazhohen në kërkimin dhe analizimin e argumenteve të së vërtetës apo disa që angazhohen po nuk i analizojnë gjërat sa dhe si duhet, si argument marrin përhapjen e gjerë të një dukurie në mesin e njerëzve, kinse ajo është e drejtë dhe e mirë.
Konkretisht fjala është për modën sot, e cila imi­to­h­et nga shumë njerëz dhe shoqëri të ndryshme, pa marrë parasysh i përshtatet apo jo.
Sipas gjykimit të këtyre njerëzve, nëse një mënyrë e caktuar e veshjes a e sjelljes, apo diçka tjetër, përdoret nga një grup njerëzish, do të thotë se është e drejtë, no­r­m­ale dhe modë e kohës apo jetë moderne, dhe së cilës duhet t'i bashkangjitemi, sepse këto janë moderne dhe ky është modernizim.
Pra, ky është një imitim total i tjetrit apo i shoqërisë tjetër dhe kjo pa e analizuar fare se a e vlen të imitohet apo jo, si dhe a kemi dobi apo dëm prej një imitimi apo mode të tillë.
Sipas botëkuptimit islam, gjykimi dhe qëndrimi ynë ndaj disa traditave, shprehive dhe zakoneve nuk duhet të mbështeten mbi faktin se në ç'masë traditat janë të për­hapura dhe sa konsiderohen moderne, por duhet të mbështeten në faktin se të çfarë karakteri e dome­thë­­ni­e­je janë, sa të dobishme ose të dëmshme janë.
Nëse diçka nuk përputhet me normat islame, është e pakuptimtë, e pahijshme dhe e dëmshme, atë duhet ta largojmë dhe ta flakim, pa marrë parsysh se sa ajo mu­nd të ishte "moderne" apo "e modës". Pra, në këtë di­le­më të tillë (pranojmë diçka apo ta largojmë), masë e pra­n­i­m­it apo e refuzimit duhet të jetë gjithmonë dobia e dë­mi, e kurrsesi "modernizimi" apo "moda".
Andaj, çdo qëndrim i yni, sjellje jona, nëse është e dobishme, e drejtë, e shëndoshë dhe fisnike në aspektin fetar, moral, shkencor e shoqëror, është e pranuar dhe ka përparësi mbi atë që është moderne, aq më tepër kur ky modernitet është i dëmshëm dhe shkatërrues siç janë lakuriqësia, prostitucioni, droga, alkooli etj.
Për këtë Allahu xhel-le shanuhu në Kur'an e po­rosit Pejgamberin alejhi selam që t'u thotë njerëzve:
"Thuaj: Nuk është e njëjtë e keqja dhe e mira, po edhe nëse të mahnit ty shumimi i së keqes, pra kini frikë Allahun (e mos pranoni të keqen), o ju të zotët e mendjes, ashtu që të shpëtoni". [Maide, 100]
Ajeti na e bënë të qartë se e mira dhe e keqja nuk janë të njëjta, por edhe nëse përhapet një e keqe shumë në mesin e njerëzve, nuk do të thotë se ajo është mirë, e drejtë dhe normale, siç mendojnë shumë njerëz.
Shembull, rasti i prostitucionit dhe lakuriqësisë, të cilat janë të përhapura në një masë të gjerë ndër njerëzit, dhe shumë njerëz mendojnë se me të vërtetë ky është kusht i jetës moderne dhe të përparuar, civili­zim e qytetërim njerëzor.
Pse mendojnë kështu?!
Vetëm pse janë të përhapura shumë, e nuk ndalen në analizën dhe studimin e pasojave të tyre, e pastaj të vlerësojnë drejt e realisht një dukuri të tillë.
Andaj, edhe ajeti kur'anor u bën thirrje dhe u drej­tohet njerëzve që logjikojnë, mendojnë dhe i analizojnë gjërat si duhet, dhe nuk i pranojnë gjërat pa farë analize e studimi të pasojave dhe efekteve të tyre, në mënyrë që të mos bien në humnerat e shkatërrimit. Nëse është e mirë dhe e dobishme, e pranojnë, e nëse është e keqe dhe dëmshme, e largojnë.
Kështu veprojnë vetëm njerë­zit e mençur.
Sipas mësimit Islam është e qartë se si duhet të jetë qëndrimi ynë ndaj të gjitha shprehive, sjelljeve dhe që­­nd­rimeve të modernizuara, të cilat janë të dëmshme dhe të cilat kontribuojnë në përhapjen e të këqiave të ndry­shme.
Pra, ky qëndrim është qëndrim negativ ndaj këtyre shprehive dhe traditave të tilla, që do të thotë largim dhe luftim i tyre në mënyrë të vendosur dhe të vetëdij­shme.
Një qëndrim i tillë kërkon vullnet të fortë, vetëdije të lartë, vendosmëri, guxim moral, njohuri të drejtë dhe ndjesi ndaj vlerave morale si edhe njohuri për gjithë të keqen dhe të dëmshmen.
E një vullnet të tillë, vetëdije, guxim, moral, vend­osmëri, njohuri dhe ndjesi duhet ta ketë çdo musliman e muslimane, ngase për këtë i mëson feja islame dhe këtë e kërkon prej tyre.
A thua vallë, a lejohet moda tek ne në Islam?!
Dhe a mund ta ndjekim ne modën?!
Fjala modë nuk duhet kuptuar vetëm si një dukuri që duhet të ndiqet apo të imitohet një person a një sho­që­ri në mënyrën e tij të jetesës (sjelljes, veshjes, mënyr­ës së të ushqyerit, modelit të rrobave, këpucëve etj.) pa marrë parasysh se a i përshtatet atij apo jo, ose a ka ndonjë dobi prej saj apo jo.
Por, modën duhet ta kuptojmë si një dukuri që duhet ta udhëheqim ne vetë në dobinë tonë, e jo në dë­m­in to­në, pa e imituar askënd dhe kjo brenda suazave e kri­tereve të normave islame.
Njeriu duhet të jetë kreator për modën e vet, për id­e­alet e veta dhe parimet morale të tij, e kurrsesi të behet rob i modës, pa marrë parasysh qëllimin e saj dhe drej­t­i­m­in nga shpie ajo.
Gjatë jetës së përditshme në botën e sotme të mode­r­nizuar, modën e veshjes dhe të sjelljes më së shumti e përcaktojnë dhe lancojnë duke e përhapur tek të tjerët individët, ose qarqe të ndryshme të ngushta nga pikë­pa­m­jet e tyre personale, planet dhe interesi i tyre perso­n­al, kurse të tjerët e pranojnë atë, fatkeqësisht, pa kurr­farë mendimi të shëndoshë dhe arsyetimi.
Kjo është katastrofë për njerëzimin, ngase kjo është njëra nga dukuritë e nënshtrimit të verbër të tyre, të cilën muslimanët nuk mundin dhe nuk bën ta pranojnë në mënyrë të verbër dhe me çdo kusht.
çdo shoqëri apo bashkësi ka të drejtë të vendosë kriteret, dispozitat dhe ligjet e saja ashtu si dëshiron ajo, apo ashtu si e sheh të arsyeshme se është më mirë dhe më drejtë për atë grup shoqëror.
Po ashtu ka të drejtë, t'i flakë të gjitha shprehitë dhe çdo metodë, që nuk janë në përputhje me parimet e tyre jetësore dhe me mënyrën e jetësës së tyre.
Me një theks të veçantë e themi dhe ua bëjmë me dije lexuesve, sidomos muslimanëve, se vënia e modës së huaj në mënyrën e huaj të jetesës paraqet nënçmimin më të vrazhdë të njeriut dhe vlerës së tij, në të drejtat e tij, dhe në lirinë e tij njerëzore.
Ky tjetërësim i vetvetes me përvetësimin e modës së huaj dhe mënyrës së huaj të jetesës verbërisht, i për­gja­s­on majmunit, i cili e imiton njeriun dhe e përcjell me     gje­­s­tet e tij.
Muslimanët e muslimanet duhet të jenë faktorë të vetëdijshëm, të gjykojnë drejtë, të logjikojnë me kokat e tyre e të mos bien në kurthën dhe nën ndikimin e intri­ga­ve të të tjerëve, aq më tepër kur kjo çon në dëmin dhe regresivitetin e tyre moral.
Muslimanët si subjekt të veprimtarisë dhe aktivite­tit të gjithmbarshëm të tyre duhet ta kenë kulturën e vet islame të veshjes, të sjelljes, të mënyrës së të ushqyerit, të mënyrës së ndërtimit dhe mobilimit të banesave, mo­delin e veshmbathjes etj., e kjo kulturë ka qenë gji­th­m­o­në, është dhe duhet të jetë e ndërtuar në përputh­shmëri të plotë me dispozitat e moralit islam, me pa­rim­et hi­gji­e­nike bashkëkohore, me shijen e mirë dhe me format estetike.
Muhammedi alejhi selam thotë në një hadith:
"Kush i përgjason një populli, ai është prej tyre."
Pra, muslimani nuk duhet t'i përngjajë askujt, as të imitojë tjetrin, por duhet të ruaj dhe të mbajë kulturën e vet dhe të kultivojë e të ndjekë modën e vet islame.